Kosova dhe Turqia zotohen për bashkëpunim ushtarak
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, me nderime të larta e ka pritur në vizitë zyrtare ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar, me delegacionin e tij.
Fillimisht, ministri Mehaj i ka shprehur mirëseardhje homologut të tij turk dhe e ka falënderuar Republikën e Turqisë për kontributin që ka dhënë deri më tani për shtetin e Kosovës.
”Populli i Kosovës asnjëherë nuk e harron kontributin e Turqisë që ka dhënë në ditët tona më të vështira, por gjithashtu e falënderojmë edhe për kontributin e madh që po jep në ngritjen e kapaciteteve ushtarake”, ka thënë Mehaj.
Më tej, të dy ministrat biseduan lidhur me tema të ndryshme sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes jo vetëm në Kosovë por në rajon dhe më gjerë, ku me këtë rast, ministri Mehaj e falënderoi ministrin Akar për kontributin e kontingjentit të forcave turke në kuadër të KFOR-it për paqen dhe sigurinë në vend.
Në këtë takim u bisedua edhe për shkëmbim të përvojave në sferën e edukimit, trajnimit të personelit ushtarak, gjithashtu edhe për pjesëmarrje në ushtrime të përbashkëta ushtarake. Gjithashtu, u bisedua lidhur me mbështetjen e Republikën e Kosovës në integrimin në organizata euroatlantike.
“Përderisa bashkëpunimi në mes të dy vendeve tona po thellohet çdo ditë e më shumë, shteti i Turqisë po bën përpjekje të mëdha në integrimin e Kosovës në organizatat euroatlantike”, theksoi ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, duke shtuar se hapat që ka marrë Republika e Kosovës deri më tani në fushën e diplomacisë së mbrojtjes, janë shumë të rëndësishëm.
Ministri Akar vazhdon vizitën e tij zyrtare me takimet e planifikuara edhe me Presidenten Osmani-Sadriu dhe Kryeministrin Kurti./21Media