Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi së bashku me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly dhe kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini kanë nënshkruar marrëveshje për mbështetje në projektin  për Përmirësimin e Performancës së Ngrohtores së re në Gjakovë.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje ka për qëllim rehabilitimin e rrjetit të ngrohtores, përmirësimin e efikasitetit energjetik të shpërndarjes, gjithashtu do të bëjë ofrimin e shërbimit të ngrohjes dhe ujit të ngrohtë për spitalin e Gjakovës “Isa Grezda”, si dhe përmes këtij projekti do të bëhet kyçja në rrjetin e ngrohjes për institucionet publike.

“Është një nga projektet më të rëndësishme në Kosovë i cili do të financohet nga qeveria zvicerane me 5.5 milionë si dhe nga komuna e Gjakovës me shumën 500 mijë euro, prandaj i jemi falënderues qeverisë së Zvicrës për këtë projekt si dhe për projekte të tjera të cilat janë në realizim e sipër”, tha ministri MEA-së, Blerim Kuçi.

Ndërsa nga ana e atij ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly u shpreh se ky është një projekti i madh, i rëndësisë së shumëfishtë që ka efekt pozitiv në reduktimin e emetimit të CO2  gjë që do të ndikojë në mirëqenien e të gjithë qytetarëve të komunës së Gjakovës duke përmirësuar kualitetin e ajrit.

“Është kënaqësi të jem këtu me ju, në eventin e parë si ambasador i Zvicrës në Kosovë. Është projekt shumë i mirë dhe është projekt shembull që duhet ndjekur në projektet tjera”, ka thënë ambasadori Kolly.

Ndërkaq kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini tha se Ngrohtorja e re e Gjakovës me biomasë është një ndër projektet më të mira që kanë ndodh në Kosovë në fushën energjisë, përmes të cilit do të kemi zgjerimin e rrjetit në veri  të qytetit si dhe zgjerimin e rrjetit në spitalin e Gjakovës “Isa Grezda”./21Media