Kosova është e artë, tha kryeministri Kurti në festën e pritjes së medalisteve olimpike

 
Ekipi olimpik i xhudos që përfaqësoi Kosovën në Lojërat Olimpike Tokio 2020, ka mbërritur sonte në Kosovë.
Kampionet olimpike të xhudos, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, u pritën në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
“Kemi shkuar për një medalje, por u kthyem me dy dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme”, tha trajneri i ekipit olimpik, Driton Kuka në konferencën për media, pas aterimit.
Kosova u përfaqësua me pesë xhudistë në Tokio dhe fitoi dy të arta, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, dhe një vend të shtatë, Akil Gjakova.
Dy medalistet, falënderuan popullin e Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme e të cilit thanë se ia dedikojnë medaljet.​
“Shumë shtete, kanë shprehur interesim për bashkëpunim në sportin e xhudos pas suksesit që e patëm dhe kjo është një krenari e madhe. Këto medalje kanë hapur rrugë për donacione nga federatat ndërkombëtare, por edhe do të rrisin investimet në sportin e Kosovës”, tha Daulina Osmani, zëvendësministre e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Më pas, ekipi olimpik u nis për në ceremoninë e pritjes të organizuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti vlerësoi angazhimin e tri kampioneve dhe trajnerit Kuka, falë punës dhe përkushtimit të të cilëve, xhudo është bërë sinonim i fitoreve.
“Në Rio ishte hera e parë, morëm një medalje, në Tokio hera e dytë, morëm dy medalje, dhe tani le të fillojnë përgatitjet për Paris 2024 për tri e më shumë medalje”, tha ai./21Media

Back to top button