Qytetarë të shumtë presin kampionet olimpike në “Zahir Pajaziti”

 
Qytetarë të shumtë qytetarë kanë pritur sonte në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë kampionet olimpike Distria Krasniqi e Nora Gjakova, të cilat fituan dy medalje të arta në Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Në këtë ceremoni festive, xhudistja Distria Krasniqi, u shpreh e gëzuar që Kosovës i ka sjellë medalje të artë olimpike. Ajo tha se sukseset e Majlinda Kelmendit në sportin e xhudos e kanë bërë të besojë në ëndrrat e saj.
Kampionia olimpike ka inkurajuar të gjithë të rinjtë që sot po festonin për suksesin e saj që të punojnë shumë.
“Sot po ndihem shumë e gëzuar që i kam sjell Kosovës medalje të artë olimpike. Majlinda me punën e saj dhe sukseset e saj më kanë bërë të besoj që gjithçka në jetë është e mundur dhe unë kam vazhduar kam punuar shumë për ëndrrën time dhe sot jam këtu para jush si një kampione olimpike. Ju kisha inkurajuar të gjithëve, sidomos të rinjtë që të punojnë shumë për ëndrrat e tyre, pasi gjithçka është e mundur”, tha Krasniqi.
Edhe kampionia tjetër olimpike Nora Gjakova, u shpreh se me punë e përkushtim gjithçka mund të arrihet.
“Me punë dhe me përkushtim gjithçka është e mundur, unë kam punuar shumë dhe sukseset kanë arritur atëherë kur shumë pak njerëz kanë besuar. Por, ja ku jam sot këtu në Kosovë me popullin e Kosovës dhe me medaljen e artë olimpike”, u shpreh ajo.
Në pritje mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se Distria dhe Nora në Tokio bënë historinë, ndërsa nuk ka lënë pa përmendur edhe suksesin e Majlinda Kelmendit, e cila i hapi rrugën e medaljeve të arta Kosovë në Rio 2016.
“Edhe pse nuk mori medalje në Tokio, ajo (Majlinda Klemnedi) i ka marrë zemrat tona, me sukseset e përkushtimin e saj ajo e trasoj rrugën për atletët e tjerë që të ëndërrojnë më shumë e të synojnë më lartë. Ajo i solli medaljen e parë të artë duke u bërë simbol i shpresës e i guximit dhe duke dëshmuar se me përkushtim gjithçka është e mundur. Kampione përjetë. Në Olimpiadën e parë në Rio, Majlinda solli medaljen e parë, kurse në Olimpiadën e dytë për Kosovën në Tokio, Distria dhe Nora bënë histori duke sjellë dy medalje të arta. Medaljet e arta, krahas talentit kërkojnë disiplinë e motivim, kërkojnë taktikë e teknikë të përsosur. Tashmë, të gjithë e dimë emrin e trajnerit të medaljeve olimpike. Me këmbënguljen dhe angazhimin e tij, ai e ka bërë xhudon sinonim të fitoreve duke na frymëzuar e duke e marrë vëmendjen e të gjithë neve. Ai është trajneri i artë, Driton Kuka. Tri medalje të arta nga tri gra, kjo fjali duhet të na mjaftojë për të fituar çdo debat për barazinë gjinore. Faleminderit vajzave, faleminderit trajnerëve, faleminderit secilit që ka kontribuar në suksesin që e kemi arritur në Tokio. Në Rio ishte hera e parë morën një medalje, në Tokio hera e dytë morëm dy medalje dhe tani le të fillojmë përgatitjet për Paris 2024 për tri e më shumë medalje”, ka thënë Kurti.
Trajneri Driton Kuka ka falënderuar të gjithë qytetarët që kishin dalë për të festuar sukseset e Kosovës në xhudo.
“Është kënaqësi që pas asaj që ndodhi në Rio një medalje e artë olimpike i ka tejkaluar dimensionet sportive, e cila i ka treguar botës që ne si popull e kemi merituar lirinë, liri e fituar me shumë sakrifica, gjak, mund, tash po e vazhdojmë tutje. Ajo që na ka bërë krenar gjithmonë është Majlinda, ajo e cila i ka hapur dyert e Kosovës është Majlinda, ndërsa rrugëtimin e saj, ëndrrën olimpike për medalje të arritura e kanë vazhduar ato të cilat kanë filluar me stërvitë me Majlindën. Distria dhe Nora, ta them të drejtën, kanë qenë kandidate për medalje, por dy të arta nuk i kam pritur as unë. Ato i kanë tejkaluar edhe pritjet e mia, andaj jam falënderues dhe mirënjohës dhe gjithmonë në jetë çdo sekondë të jetës time që e kam kaluar me këto tri heroina”, tha ai.
Xhudistet që nga Tokio i sollën Kosovës dy medalje të arta olimpike, janë pritur me ceremoni shtetërore edhe në aeroportin “Adem Jashari”.

Back to top button