Kosova fitoi rastin kundër “IuteCredit” në Arbitrazh, deklarohet Guvernatori Mehmeti

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se fitorja e procesit të arbitrazhit ndërkombëtar ndaj institucionit financiar Iute Credit, ka vërtetuar se BQK-ja ka qenë dhe mbetet e sigurt në ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e vendimeve, në raport me këtë institucion dhe të gjitha vendimeve të nxjerra nga organet ekzekutive të saj.
Në konferencën për media, Guvernatori Mehmeti shpalosi historikun nga regjistrimi i këtij institucioni mikrofinanciar më datë 27 tetor 2017 e deri në vendimin e marrë nga Bordi i BQK-së për revokimin e licencës dhe inicim të procedurave të likuidimit.
Me këtë rast Guvernatori Mehmeti ka thënë se përmes politikës së saj të licencimit, BQK-ja në vazhdimësi synon që të ofrojë kushte sa më të mira për qasje në financa në Kosovë, duke mundësuar operimin në tregun tonë financiar vetëm të institucioneve, të cilat i kontribuojnë stabilitetit dhe zhvillimit të sistemit financiar, rrjedhimisht edhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.
“Gjatë periudhës së operimit të Iute Credit në Kosovë, ky institucion në vazhdimësi ka devijuar nga plani i biznesit, në bazë të të cilit kishte marrë licencën për të operuar, duke i sjellë kështu tregut tonë diçka tjetër prej asaj që kishte premtuar. Konform detyrave dhe përgjegjësive lidhur me mbikëqyrjen e institucioneve financiare, BQK-ja ka kryer dy ekzaminime të fokusuara në këtë institucion mbi pajtueshmërinë e tij lidhur me operimin krahas planit të biznesit të aprovuar me rastin e regjistrimit nga BQK. Ekzaminimet e BQK-së kishin evidentuar një varg shkeljesh të mëdha dhe se normat e interesit që kishte aplikuar ky institucion janë jashtë çdo standardi, qoftë nëse i krahasojmë me vetë projeksionet e këtij institucioni, qoftë në raport me normat e interesit në kredi, që aplikohen nga institucionet tjera financiare në vend. Ky devijim ishte në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe se, me veprimtarinë e tij kishte rrezikuar aftësinë paguese të huamarrësve dhe me këtë ka paraqitur rrezik edhe për stabilitetin financiar të vendit”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.
Bazuar në shkeljet e evidentuara nga ekzaminimet e njëpasnjëshme, Bordi Ekzekutiv i BQK-së, me 6 dhjetor 2019 kishte vendosur që të revokojë regjistrimin dhe të iniciojë procedurat e likuidimit për institucionin mikrofinanciar “Iute Credit Kosovo” Sh. A.
Ai ka thënë se BQK-ja ka qenë dhe mbetet e sigurt në ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e vendimeve, në raport me këtë institucion dhe të gjitha vendimeve të nxjerra nga organet ekzekutive të saj.
Institucioni në fjalë, konform të drejtës së tyre ligjore, kishte iniciuar padi në Arbitrazhin Ndërkombëtar, për të kontestuar ligjshmërinë e vendimit të Bordit Ekzekutiv të BQK-së.
“BQK falënderon Qeverinë e Republikës së Kosovës për inicimin e ndarjes së mjeteve monetare për mbrojtjen e Republikës së Kosovës në arbitrazh. BQK po ashtu falënderon Ministrinë e Drejtësisë dhe Avokaturën e Shtetit për vendosjen e kontaktit të drejtpërdrejtë ndërmjet BQK-së dhe firmës mbrojtëse për Republikën e Kosovës.”, tha ndër tjerash Mehmeti./21Media
 

Back to top button