Kosova jep 100 mijë euro për Kroacinë
Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për ndarje të mjeteve financiare në shumën prej 100 mijë euro, për mbështetjen e Kroacisë, pas tërmetit.
Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës, rreshtohet përkrah shteteve solidare të cilat po e ndihmojnë Kroacinë, në sanimin e dëmeve që ka shkaktuar tërmeti.
“Qeveria e Republikës së Kosovës edhe në këtë rast shpreh zotimin dhe gatishmërinë që të ndihmojë qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kroacisë në tejkalimin e situatës së rëndë me të cilën po përballen, pas tërmetit i cili ditë më parë goditi këtë vend”, thuhet në një njoftim të Qeverisë.
Të paktën shtatë persona humbën jetën dhe dhjetra të tjerë u lënduan pasi një tërmet i fuqishëm me madhësi 6.4 shkallë goditi Kroacinë të martën./21Media