Kosova me shkallën më të lartë të vaksinimit në rajon

Kosova prinë me shkallën e vaksinimit në rajon, njofton Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.
“Ndonëse e ka filluar e fundit në rajon vaksinimin, Kosova ia ka dalë që të ketë shkallë më të lartë të vaksinimit se shtetet e rajonit, përfshirë Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Bullgarinë dhe shtete të tjera, përderisa ka shkallë të krahasueshme me disa shtete të Evropës.”, thuhet në njoftim.
Sipas ministrisë me mbi 1.820.000 doza të administruara, vaksinimi te popullata mbi 18 vjeçe në Kosovë ka arritur në 70% me një dozë dhe 63.4% me dy doza.
“Te popullata mbi 12 vjeçe, janë vaksinuar 62.7% me një dozë dhe 57.1% me dy doza. Sfidë mbetet vaksinimi me dozën e tretë, ku vetëm rreth 7% e popullatës mbi 12 vjeçe e kanë marrë atë.”, thuhet në njoftim.
Një vit pas, Ministria e Shëndetësisë i falënderon të gjithë ata që kanë qenë pjesë e procesit të vaksinimit kundër COVID-19 përmes Komitetit për Imunizim, Ekipit menaxhues dhe ekipeve vetëmohuese të vaksinimit në 30 komuna të Kosovës, për kontributin që kanë dhënë në shpëtimin e shumë jetëve të njerëzve tonë.
“Gjithashtu, edhe donatorët që përmes mekanizmave të ndryshëm ndihmuan Kosovën për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 dhe qëndrueshmërinë e suksesin e këtij procesi.”, përfundon Ministria e Shëndetësisë./21Media

Back to top button