Kosova nuk mund të garantojnë mbrojtjen në liri të krerëve të UÇK-së

 

Qeveria e Kosovës dhe shteti i Kroacisë, kanë thënë se nuk mund të jenë garantues për lirim me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale në Hagë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk mund të shërbejë si garantuese për lirimin me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ngase garancia nuk kërkohet as nga shteti amë. “Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë (Kosova) e as nga kryeministri i shtetit amë (Qeveria e Republikës së Kosovës), nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion. Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantues, ashtu siç po raportohet”, tha Kryeziu përmes një përgjigje me shkrim. Sipas përgjigjes së zëdhënësit të qeverisë, “gjyqtari Kai Ambos, në opinionin e tij të ndarë nga vendimi për refuzimin e kërkesës për lirim me kusht, eksploron mundësinë që në të ardhmen ‘shtete të treta’ të mund të shërbejnë si garantues të mundshëm për ndonjë të akuzuar. Por, Kosova nuk është ‘shtet i tretë’, sepse Gjykata është ligjërisht e Kosovës”. Kryeziu tha se “krahasimet e Gjykatës Speciale me gjykata ndërkombëtare sikurse me Tribunalin e Hagës janë të paqëndrueshme, si në raport me vetë gjykatat – njëra vendore e tjetra ndërkombëtare – ashtu edhe në raport me personat/institucionet që kanë pasur mundësi të ofrojnë garanci”.

Edhe Presidenca thotë se Kosova nuk mund të jetë garantuese. Këshilltari për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka thënë se Kosova nuk mund të jetë garantuese për mbrojtjen në liri të ish-udhëheqësve të UÇK-së. “Çështja e garancisë është përmendur në mendimin e ndarë të njërit prej gjyqtarëve (Kai Ambos), por nuk është pranuar si opsion nga Paneli i Apelit të Dhomave të Specializuara. Për më tepër, në mendimin e ndarë, gjyqtari Kai Ambos qartë i referohet shtetit të tretë. Republika e Kosovës, me asnjë interpretim, nuk mund të konsiderohet shtet i tretë, sepse gjykata funksionon nën juridiksionin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kupina.

Ish-kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Hysen Berisha, ditë më parë ka deklaruar se Kroacia ka ofruar garanci për lirimin me kusht nga Gjykata Speciale, të krerëve të UÇK-së./rel

Back to top button