Varhelyi premton më shumë vaksina për Kosovën

 

Një ditë pas arritjes së 4680 vaksinave Pfizer, Kosovën e ka vizituar komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi.

Ai ka qëndruar në sallën “1 tetori” për të parë nga afër procesin e rinisjes së vaksinimit antiCOVID-19, me ç’rast bëri të ditur se në qershor do të vijë dërgesa tjetër e vaksinave Pfizer. Ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se nuk do të ndalen derisa të arrihet objektivi i vaksinimit 60 për qind të popullatës.

Në një konferencë të përbashkët për medie, komisionari Varhelyi tha se do të punojnë me kryeministrin Kurti për të siguruar sa më shumë vaksina, pasi sipas tij vetëm në këtë mënyrë përfundon pandemia COVID-19. Nga donacionet e BE-së, ai tha se Kosova do të pranojë rreth 100 mijë vaksina Pfizer.

“Është një ditë e jashtëzakonshme për Ballkanin Perëndimor dhe e mrekullueshme për Kosovën. Shpresoj që edhe ju ndjeheni njëjtë. Ka qenë një detyrë e rëndë për t’i marrë vaksinat, por ja ku janë. Jemi duke i sjellë gjashtëqind e tridhjetë e një mijë vaksina për Ballkanin Perëndimor, Kosova do t’i pranojë gati 100 mijë vaksina nga Pfizer, partneri më i besuar në këtë luftë të pandemisë. Në këtë kontribut gjithë sektori shëndetësor i Kosovës do të mund të vaksinohej me furnizimet e para, dhe ato që do të vijnë në qershor do t’i vaksinoni të gjithë stafin mjekësor dhe ata do të kenë rezistencë ndaj virusit. Mendoj që ky është kontributi më i rëndësishëm që bëjmë për të ndihmuar të fillojmë përfundimin e pandemisë, pasi që pandemia do të përfundojë vetëm pasi të jemi vaksinuar të gjithë. Dhe ky është vetëm furnizimi i parë, do të vazhdojmë të punojmë me kryeministrin për të siguruar më shumë vaksina në mënyrë që të vaksinohen të gjithë… Kjo për ne nënkupton se ne brengosemi për Ballkanin Perëndimor dhe brenda tij brengosemi për Kosovën”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri Kurti tha se synojnë të vaksinojnë gjitha grupet e rrezikuara para stinës së verës.

“Vetëm duke qenë së bashku mund ta fitojmë luftën kundër COVID-19, ky është mësimi nga pandemia dhe mënyra jonë në gjithë këtë fushatë. Sot po e rifillojmë procesin e vaksinimit me qëllim që të mos ndalemi dhe të vazhdojmë derisa ta arrijmë objektivin tonë për vaksinimin e 60% të popullatës. Ne synojmë që të vaksinojmë grupet e rrezikuara para stinës së verës dhe të evitojmë me pjesën tjetër sipas planit. Qeveria është duke punuar pa u ndalur për të rritur furnizimin me vaksina dhe jemi në rrugë të drejtë në përmbushjen e këtij qëllimi. Jemi të bindur se në bashkëpunim me vendet tjera të BE-së do të mund të vazhdojmë të përfitojmë nga ky mekanizëm i pakos ndihmëse përmes marrëveshjeve të mëtejme”, tha Kurti.

Vizita e sotme e komisionarit Varhelyi në Kosovë është në kuadër të qëndrimit të tij disaditor në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pas arritjes së 4 mijë e 680 dozave të vaksinës Pfizer/Biontech kundërCOVID-19, sot po vazhdon vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë nga e tërë Kosova. Vaksinimi potë bëhet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Back to top button