Kosova prej sot me Ministri të Mbrojtjes

Berisha: Dita e sotme zyrtarisht shënon fillimin e procesit të tranzicionit të FSK-së

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Ministri i FSK-së, tashmë Ministër i Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe gjenerallejtënant Rrahman Rama, kanë bërë zbulimin e pllakës me mbishkrimin Ministri e Mbrojtjes. Me këtë rast, ministri Berisha ka thënë se dita e sotme zyrtarisht shënon fillimin e procesit të tranzicionit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

“Sot është një ditë e veçantë për ministrinë tonë, për FSK-në, për gjithë qytetarët e Kosovës. Që nga sot do të ndryshon emërtimi i Ministrisë sonë dhe do të jetë Ministria e Mbrojtjes. Zyrtarisht qe nga sot është dita e parë ku fillon procesi i tranzicionit të FSK-së, në Ushtri të Kosovës.”, ka thënë Berisha.

Ndër tjerash, Berisha ka thënë se tranzicioni i FSK-së do të jetë gradual dhe është paraparë një plan 10 vjeçar.

Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj ka thënë se me zbulimin e pllakës, Kosova ka formalizuar ombrellën e saj institucionale për ushtrinë më të re në botë.

“Me ngjarjen simbolike të zbulimit të pllakës me mbishkrimin “Ministri e Mbrojtjes”, nga sot, Kosova ka formalizuar ombrellën e saj institucionale për ushtrinë më të re në botë.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor 2018, ka miratuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës. Janë miratuar tri ligjet për FSK-në: Ligji për Ministrinë e Mbrojtes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për shndërrimin e FKS-së në Ushtri./21Media

Back to top button