Kosova s’mund të ecë përpara pa gjetjen e qetësisë për familjarët e të pagjeturve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, sot bëri homazhe në nderim të viktimave të Mejës.
Abdixhiku tha se familjet e viktimave ende ndjenjë dhimbjen e njëjtë sikurse më 27 prill të vitit 1999.
“Ata i kanë të freskëta kujtimet e rënda të ndarjes së fëmijëve e burrave nga ta; siç e kanë të freskët dëshpërimin e pafuqisë së tyre për t’i shpëtuar familjarët nga çnjerëzorja. Njeriu është më i fortë se guri – thonë; e vetëm një forcë e madhe mbi sakrificën e rëndë, ka bërë që këto familje t’i kapërcejnë 23 vitet e shkuara drejt. Dhimbja e tyre është dhe dhimbje e jona; por mbi të gjitha është rikujtim i vuajtjeve të popullit të Kosovës për lirinë e sotme. Sot, gjithandej Kosovës japim nderimet e tona për civilët e vrarë e dëshmorët e rënë. Çmimi i lirisë së Kosovës ka qenë çmim i vet jetës – sikurse i 376 civilëve të Mejës”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Ai tha se sot kemi dhe një detyrim shtesë.
“Në Ditën e të Pagjeturve të Kosovës, vazhdojmë të thërrasim për drejtësi dhe zbardhjen e fatit të 1617 qytetarëve tanë të pagjetur. Kosova s’mund të ecë përpara pa gjetjen e qetësisë për familjarët e të pagjeturve”, shkroi tutje kreu i LDK-së.
Në Mejë 23 vjet më parë, 376 civil shqiptarë, nga ta 36 fëmijë, ishin vrarë e masakruar nga forcat policore dhe ushtarake të Serbisë./21Media

Back to top button