Kosova synon kualifikimin historik në Kampionatin Botëror të Hendbollit
Me fitoren kundër Bosnje e Hercegovinës me rezultat 32-26, Kombëtarja e Kosovës në Hendboll është kualifikuar në raundin e dytë të kualifikimeve për në Kampionatin Botëror të Hendbollit që zhvillohet vitin e ardhshëm.
Në krye me trajnerin Agron Shabani, vajzat e Kosovës shënuan kështu një sukses historik, por nga kjo federatë thonë se synimet e së ardhmes janë edhe më të mëdha.
Kryetari i kësaj federate, Eugen Saraçini thotë se një rezultat i tillë ishte i pritur duke e ditur punën dhe përkushtimin e ekipit për një kohë të gjatë.
“Ky ekip i vajzave, i kombëtares sonë është ekip i cili tani e disa vite janë së bashku dhe mendoj që rezultatet të cilat janë arritur prej grumbullimeve të më hershme kanë qenë çdo herë në ngritje e sipër. Ajo punë që është bërë me në krye selektorin Agron Shabani ka rezultuar me suksesin e arritur. Rezultatin e tillë e kemi pritur, por nuk kemi qenë në situatë që t’i nënvlerësojmë kundërshtarët siç janë Bosnjë Hercegovina dhe Belgjika që kanë ekipe të mira por ne e kemi ekipin më të mirë dhe kështu u kualifikuam”, thekson Saraçini.
Kundërshtari i radhës për Kosovën do të mësohet nga shorti që do të hidhet në muajin dhjetor dhe Saraçini thekson se tejkalimi i pengesës së radhës do të ishte moment historik dhe i krenarisë për Kosovën.
“Ne e kemi tani edhe një sfidë, njëri prej kundërshtarëve do të jetë Kombëtarja e Italisë, Lituanisë ose e Izraelit dhe besojmë se prapë me përgatitje dhe përkushtim serioz që njërën prej kësaj, cilado që të jetë do të duhet ta mposhtim dhe atëherë mund themi që kemi një situatë kur krenohemi dhe themi se është bërë një veprim ose një arritje historike duke marrë parasysh se marrja pjesë në një Kampionat Botëror me ekipin e parë të kombëtares është arritje vërtetë historike”, shton më tutje Saraçini.
E përzgjedhësi i Kosovës, Agron Shabani thotë se me pak fat, Kosova mund ta mposht edhe rivalin e radhës, por uron që në short të shmangen kombëtaret elitare evropiane.
“Mendoj se nëse kemi fat me ndonjë ekip si Portugalia, Maqedonia ndoshta, apo Çekia e Sllovakia të na bie si kundërshtar, nëse angazhohemi dhe na bashkohen edhe disa lojtare është një mundësi që të bëjmë një rezultat sa më të mirë…Të shohim, nuk e di as vet, derisa të vendoset me short, por shpresojmë një ekip i nivelit tonë dhe konsiderojë që kemi mundësinë ta tejkalojmë edhe atë pikë”, thotë Shabani.
Shabani bën thirrje që të rritet cilësia e kampionatit vendor në hendboll në mënyrë që konkurrenca në ekipin e kombëtares të jetë edhe më e fortë.
“Ndoshta problemi është pak që liga kosovare duhet të forcohet pak më shumë që të kemi mundësi edhe për më shumë konkurrencë edhe nga vajzat nga Kosova. Ne i kemi i kemi disa vajza të Kosovës që janë të bashkangjitura në kombëtare, por numri më i madh do ishte më mirë për ne. Shpresoj që në të ardhmen, si vajzat në diasporë edhe ato në Kosovë të jemi në rrugë shumë të mirë dhe të bëjmë një ekip shumë të madh”, tha në fund Shabani.
Shorti për raundin e dytë kualifikues të Kampionatit Botëror të Hendbollit do të hidhet më 14 dhjetor, ndërsa ndeshjet e radhës do të zhvillohen në muajin prill të vitit 2025./kp