Kosova të avancojë kornizën ligjore për ristrukturim dhe falimentim të ndërmarrjeve

Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia COVID19 cenon operacionet e shumë ndërmarrjeve, një numër i të cilave mund të ballafaqohen me nevojën e ristrukturimit apo edhe falimentimin.

Duke folur përmes video komunikimit nga Washingtoni, Andres Federico Martinez nga IFC tha se kriza në të cilën ndodhemi tani përbën një rrezik të madh mbi mbijetesën e bizneseve dhe theksoi rëndësinë e një strategjie të mirëfilltë për të dalë nga kjo situatë, strategji kjo e cila përfshinë edhe sistemin e insolvencës. Martinez u shpreh se si strategji e daljes nga kriza dhe minimizimit të numrit të bizneseve që ishin drejt falimentimit janë reformuar ligjet e insolvencës për të bërë më të vështirë që kreditorët të përshpejtojnë procesin e falimentimit dhe duke u lejuar debitorëve që të përfitojnë nga këto ligje si mekanizëm i ristrukturimit.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës u shpreh se agjenda e përfaqësimit të bizneseve ka për qëllim minimizimin e numrit të bizneseve me potencial falimentimi dhe ruajta e vendeve të punës në Kosovë, duke shtuar se ndër problemet me të cilat po përballen këto kompani është rënia e vazhdueshme e konsumit.

Ai shtoi se 65% e bizneseve në Kosovë po shprehin pasiguri në të ardhmen e tyre, duke shtuar se sipas të gjitha vlerësimeve, industria e tregtisë me shumicë dhe pakicë ka shënuar rënie dhe se pa likuiditet të kompanive, humbjet dhe problemet financiare që kanë pasuar nga rënia e produktivitetit shihen si problemi kryesor i shkaktuar nga pandemia.

Ardi Shita, Konsulent në IFC foli për kornizën e ligjit që rregullon çështjen e insolvencës në Kosovë duke thënë se në këto kohë është më aktual se asnjëherë më parë, duke shtuar që gjatë viteve të kaluara sistemi ligjor përkatësisht në aspektin e insolvencës ka qenë i mangët, ndërsa që nga viti 2016 kemi një ligj tërësisht të ri i cili bazohet në praktikat më të mira Evropiane.

Petrit Balija, nga Shoqata e Bankave të Kosovës tha se në situatën, në të cilën gjendemi është e pashmangshme që disa biznese të shkojnë drejt falimentimit si rezultat i pezullimit të aktiviteteve prodhuese apo shërbyese dhe reduktimit të konsumit të produkteve jo esenciale.

Ai gjithashtu shtoi se ekspertët e ligjit dhe ekspertet e procedurave gjyqësore propozojnë orientim ndaj alternativave jashtëgjyqësore, në kuadër të Odës Amerikane dhe Odës Ekonomike të Kosovës.

Back to top button