Kosova U17 mposhtet nga Kroacia

Të hënën në mëngjes hendbollistet e Kombëtares U17 të Kosovës e kanë luajtur ndeshjen e parë në kuadër të Kampionatit Mesdhetar. Në Nafplio të Greqisë, vajzat e Kosovës u përballën me Kroacinë.
Në periudhën e parë prej tri gjithsej, Kombëtarja shfaqi potencialin që ka, ndërsa pas 15 minutave lojë rezultati ishte i barabartë, 8:8. Në periudhën e dytë, lojtaret e Kroacisë ishin dukshëm më efikase, duke fituar 12:2. Periudha e tretë përfundoi 9:6 për Kroacinë, që fitoi në fund me rezultat 29:16.
Ka pasur gjëra pozitive në lojën e vajzave tona, por edhe shumë lëshime e vendime të ngutshme. Ka kushtuar edhe dëshira e madhe për sukses, që në shumë raste solli nguti dhe përfundim jo të duhur të aksioneve.
Pasdite Kosova U17 e luan ndeshjen e dytë. Përballë do ta ketë Spanjën, njërën prej favoriteve të kampionatit.
Është ky Kampionati i 16-të Mesdhetar për grupmoshën U17.

Back to top button