Kaloni te përmbajtja kryesore

Kosova voton

(Lajm i përditësuar)

Rreth 10 mijë votues më pak se në vitin 2021 deri në orën 15:00

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bërë të ditur se deri në orën 15:00 kanë votuar 28.32 për qind, apo mbi 558 mijë 246 votues, në zgjedhjet e sotme parlamentare.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se në zgjedhjet e vitit 2021 deri në orën 15:00 kishin votuar 567 mijë e 934 votues.

Krahasuar me vitin 2021, janë rreth 9 mijë e 688 vota më pak në zgjedhjet e sotme deri në orën 15:00.


Shefja e misionit monitorues të BE-së shkon në Graçanicë, vëzhgon nga afër procesin zgjedhor

Nathalie Loiseau, shefja e misionit të BE-së për monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, ka qenë në një qendër të votimit në Graçanicë.

Përmes një postimi në platformën X, theksohet se qendra e votimit në fjalë ishtë “Kralj Milutin”.

Ndër tjera, shtohet se në fund u mbajt edhe një konferencë për media. /21Media


KQZ: 28.32% dalja në zgjedhje deri në orën 15:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat për pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje deri në ora 15:00.

Sipas KQZ-së deri në orën 15:00 të drejtën e votës e kanë ushtruar 558.246 qytetarë apo 28.32 për qind.


2 mijë e 967 persona votuan deri më tani në Leposaviq 

Në Leposaviq sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë votuar 2 mijë e 967 qytetarë.

Në këtë komunë të drejtë vote kanë 13 mijë e 876 banorë.

Bazuar në këto të dhëna i bie që në këtë qytet deri më tani kanë votuar 21.38 përqind.


Haradinaj: Ka një dalje të respektueshme të votuesve

Kandidati për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj sërish ka ftuar qytetarët që të dalin për të votuar në zgjedhjet e sotme parlamentare.

Ai në konferencën për medie të dielën, tha se deri tani ka një dalje të respektueshme të votuesve, derisa shtoi se organizimi i zgjedhjeve deri tani është në nivel.

“Është dita më e rëndësishme për katër vitet që po vijnë. Sot me votë vendosi ju për Kosovën dhe duke qenë se të gjitha kushtet janë si duhet, moti është i mirë, ditë me diell dhe aspekti organizativ është në nivel….Ju bëj thirrje dilni me votu, ka një dalje të respektueshme por ju bëj thirrje të gjithëve dilni me votu se kjo është dita juaj, vendimi i juaj për Kosovën. Kjo jo vetëm për përfaqësuesit e juaj në parlament, por edhe për ata që do të jenë në qeverinë e ardhshme. Me votën e juaj ju e drejtoni Kosovën”, tha Haradinaj.


​E ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-së po viziton një qendër votimi në veri

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, është duke vizituar në këto momente qendrën e votimit “Vik Karaxhiq” në Zveçan.

Qytetarët e Republikës së Kosovës sot ushtrojnë të drejtën e votës – në zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që prej shpalljes së pavarësisë më 2008.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.

Për herë të parë votojnë mbi 125 mijë të rinj, raporton KosovaPress.

Ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit, është 104 mijë e 924


PDK: Demokracia fiton kur qytetarët marrin pjesë

Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci ka inkurajuar qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Stavileci, në një konferencë për media, tha se zgjedhjet nuk janë vetëm një e drejtë kushtetuese, por një akt i drejtpërdrejtë që përcakton kursin e vendit tonë për katër vitet e ardhshme.

“Vota është forca më e madhe që ka një qytetar, dhe vetëm përmes saj mund të garantojmë një qeverisje që punon për zhvillimin ekonomik, për mirëqenien e qytetarëve dhe për një Kosovë më të fortë dhe më të drejtë. Le të bëjmë që zëri i shumicës të dëgjohet. Le të votojmë me vetëdije, me përgjegjësi dhe me shpresë për një të ardhme më premtuese për të gjithë. Demokracia fiton kur qytetarët marrin pjesë”, theksoi ai.

Stavileci tha se procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të qetë, demokratike dhe pa ndonjë problematikë të raportuar deri më tani.

“Deri në orën 12:00, kemi një pjesëmarrje të mirë të qytetarëve, dhe të dhënat nga vëzhguesit tanë në terren janë shumë pozitive. Kjo është një shenjë e qartë se qytetarët e Kosovës e kuptojnë peshën e votës dhe përgjegjësinë që kanë për të ardhmen e vendit. Kandidati ynë për Kryeministër, Bedri Hamza, si dhe Kryetari i Partisë, Memli Krasniqi, tashmë kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës, duke dhënë një mesazh të qartë për rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në këtë proces”, theksoi ai.


Voton Presidentja Osmani: Sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani votoi në qendrën në Fakultetin Teknik  në Prishtinë.

Ajo priti në radhë me qytetarët, derisa i falënderojë ata që po priten bashkë për të votuar.

Osmani e cilësoi këtë si një të rëndësishme për Kosovën.

Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajonin tonë, duhet ta marrim të tillë dhe duhet ta zhvillojmë edhe më tej, sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët e republikës së Kosovës të japin kontribut në këtë drejtim duke marre pjesë në procesin më të rëndësishëm nga i cili krijohet parlamenti i ardhshëm dhe institucionet e tjera, po edhe merren vendime të cilat kanë rendësi për kualitetin e jetës se tyre dhe për të gjithë vendin tonë kështu që shpresoj që të gjithë qytetarët ane mbanë Kosovës ta shfrytëzojnë këtë të drejtë.”, tha Osmani përcjell portali rtv21.tv


KQZ: Deri në orën 11:00 votuan 8.58% e votuesve

Deri në orën 11:00, nëpër vendvotime në Kosovë kanë votuar 8.58 për qind e votuesve të regjistruar.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se krahasuar me zgjedhjet e kaluara të parakohshme, më 2021 deri në orën 11:00 patën votuar 8.30% e votuesve.

“Duke u mbështetur në të dhënat nga 2343 vendvotime nga gjithsej 2533, deri në 11:00 kanë votuar 8.58% apo 169,032 votues”, ka thënë ai.


Kaq qytetarë të Kosovës votuan deri më tani

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka publikuar linkun e platformës elektronike të KQZ-së ku do të shfaqen të dhënat e pjesëmarrjes në votime në tri orare dhe rezultatet preliminare pas numërimit të votave.

“Kjo është platforma elektronike e KQZ-së https://rezultatet.kqz-ks.org/ ku do të shfaqen të dhënat e pjesëmarrjes në votime në tri orare (11:00; 15:00 dhe 19:00) si dhe rezultatet preliminare për subjektet politike pas numërimit të votave për subjektet politike”, ka shkruar Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar linkun ku do të shfaqen të dhënat për daljen e qytetarëve në votim.

Deri tani sipas të dhënave të KQZ-së kanë votuar 169,435 apo 8.60 % e qytetarëve me të drejtë vote.


​Presidentja Osmani pret në radhë për të votuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbërritur në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik për të votuar në zgjedhjet e sotme parlamentare.

Për shkak të numrit të madh të votuesve ajo vendosi të pres në radhë për ta shfrytëzuar të drejtën e saj demokratike.


Voton Memli Krasniqi 

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka votuar të dielën në shkollën “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.

“Unë më Melizën sapo votum me besimin e plotë për të ardhmen e qytetarëve tanë, me besimin dhe potencialin për të pasur një të ardhme më të mirë besoj që kjo ditë duhet të shfrytëzohet nga të gjithë qytetarë”, tha Krasniqi.


Krasniqi: Ngjyra shënjuese në gisht po fshihet lehtësisht, rritë rrezikun për votim të dyfishtë

Albert Krasniqi nga Demokracia Pluska thënë se ngjyra shënjuese ne gisht për të treguar se një qytetatr ka votuar po fshihet lehtësisht e që sipas tij e rritë rrezikun për votim të dyfishtë.

“1. Shenjimi i gishtërinjve me ngjyrë dalluese po fshihet lehtësisht, duke rritur rrezikun e votimit të dyfishtë. Kjo përbën një hap prapa krahasuar me praktikën e mëparshme të përdorimit të ngjyrës së padukshme, pasi qytetarët mund të bien pre e presioneve për të votuar ose për të mos votuar.”

“Vëzhgimi” i dytë i Krasniqit është që kabina e votimit është më e ulët dhe votuesit ulen në bankë, që sipas tij rrit rrezikun e cenimit të fshehtësisë së votës nëse një votues tjetër rri në këmbë.

“2. Kabina e votimit është më e ulët dhe votuesit ulen në bankë, gjë që rrit rrezikun e cenimit të fshehtësisë së votës, veçanërisht kur një votues tjetër qëndron në këmbë.”

“Vëzhgimi” i tretë dhe i fundit është se mundësia për të votuar deri në 10 kandidatë është e panevojshme sepse sondazhet tregojnë se shumica e qytetarëve mezi arrijnë të zgjedhin katër preferenca.

Sipas tij kjo e ngadalëson procesin e votimit dhe numërimin e votave dhe e forcon kontrollin e liderëve partiakë mbi deputetët.

“3. Mundësia për të votuar deri në dhjetë kandidatë në listë është e panevojshme, pasi sondazhet tregojnë se shumica e qytetarëve mezi arrijnë të zgjedhin katër preferenca. Ky proces jo vetëm që e ngadalëson votimin dhe numërimin e votave, por gjithashtu forcon kontrollin e liderëve partiakë mbi deputetët. Kandidatët lokalë do ta kenë shumë më të vështirë të zgjidhen, ndërsa do të favorizohen të preferuarit e liderit, të cilët përfitojnë më shumë hapësirë mediatike.”, ka shkruar Krasniqi.


Një person tentoi ta fotografojë fletën e votimit, shoqërohet në polici 

Një person ka tentuar ta fotografojë fletën e votimit brenda kabinës, mirëpo është vërejtur nga vëzhguesit e qendrës.

Këtë e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv zëdhënsi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani i cili tha se sot rreth orës 7:30 policia është njoftuar se për një rast ku një person është arrestuar për shkak të parregullësisë që ka shkaktuar gjatë votimit.

“Më datë 09.02.2025 rreth orës 07:35, Policia e Kosovës është njoftuar se brenda një qendre votimi e cila gjendet në Gjilan, nga vëzhguesit e qendrës është vërjetur një votues ku dyshohet se ka fotografuar fletën e votimit derisa ka qenë brenda kabinës së votimit”, tha Hashani.

Hashani thekson se i njëjti është shoqëruar nga hetuesit rajonal në lokalet e NJHP-së ku edhe është intervistuar.

“Konform obligimeve ligjore dhe autorizimeve zyrtare, zyrëtarët e PK-së kanë arrestuar të dyshuarin brenda qendrës së votimit dhe i njëjti është shoqëruar nga hetuesit rajonal në lokalet e NJHP-së ku edhe është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës”, theksoi Hashani për rtv21.tv

Pas intervistimit, rasti po vazhdon të hetohet.

“Pas intervisitmit Prokurorit i Shtetit ka urdhëruar që rasti ,, Cenimi i fshehtësisë së votimit’’ Neni.215 të prcedohet në procedur të rregullt. Rasti vazhdon të hetohet”, tha ai./21Media


Voton Lumir Abdixhiku

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku votoi në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.

Ai ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“Është ditë e mirë është ditë e bukur është ditë e demokracisë, dhe në këtë ditë të demokracie ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të marrin pjesë masivisht në vendosjen e fatit të tyre për 4 vitet e ardhshme, njëkohësisht uroj të gjithë votuesit që për herë të parë në këto zgjedhje japin votën e tyre.”, tha Abdixhiku, përcjell portali rtv21.tv

Në Kosovë mbahen sot zgjedhjet parlamentare – të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë. Të drejtë vote kanë mbi 2 milonë qytetarë, brenda dhe jashtë Kosovës.


Albin Kurti voton në Prishtinë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për kryeministër, Albin Kurti ka votuar të dielën në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.

Ai ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, mirëpo nuk u përgjigj nëse ka votuar edhe ajo.

“Ditë re me mot me diell për zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në shtetin e pavarur të Kosovës i falenderoj të gjithë qytetarët të cilët kanë votuar deri në këto qaste dhe inkuraroj çdonjërin që të votojë. Ushtrojeni të drejtën demokratike për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet përdoreni shancin e lirisë për të vendosur për 4 vitet e ardhshme, gëzuar dhe suksese”, tha ai.

Në Kosovë mbahen sot zgjedhjet parlamentare – të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë. Të drejtë vote kanë mbi 2 milonë qytetarë, brenda dhe jashtë Kosovës./21Media 


Bedri Hamza voton

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza votoi në shkollën Anton Zako Çajupi” në Mitrovicë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“Në me bashkëshorten Remën dy vajzat Dorentinën Diellzën dhe Djalin Ensarin e shfrytëzuam të drejtën për me votu, i lus të gjithë qytetarët e Kosovës që më shfrytëzuar këtë të drejtë demokratike për me zgjedh qeverinë për 4 vitet e ardhshme, uroj që gjithçka të shkojë mirë dhe në fund sovrani vendos,  qytetarët votojnë për mu çdo rezultat është i pranueshëm jam optimist ka qenë një fushatë e gjatë mirëpo jam i lumtur që gjatë gjithë kohës e kam rujt energjinë pozitive”, tha ai.


Mbi 100 vëzhgues të BE-së në Kosovë, Loiseau: Të përkushtuar të monitorojmë procesin zgjedhor 

Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EOM), Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian ka deklaruar se me 104 vëzhgues të BE-së në terren, janë duke monitoruar nga afër procesin zgjedhor.

Ajo ka theksuar se kanë për qëllim të vlerësojnë nëse qendrat e votimit u hapen me kohë, nëse materialet e nevojshme janë të pranishme dhe si po zhvillohet procesi zgjedhor.

Derisa ka bërë të ditur se një vlerësim i plotë do të jepet në një konferencë për media të martën.

“Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian është në terren në mbarë Kosovën. Vëzhguesit tanë e nisën punën herët në mëngjes për të siguruar një vlerësim të plotë të procesit zgjedhor. Aktualisht ndodhem në Prishtinë, dje isha në Prizren. Një ditë më parë isha në Mitrovicën e Veriut dhe sot do të udhëtoj në disa vende të tjera jashtë Prishtinës për të parë nga afër situatën. Qëllimi ynë është të vlerësojmë nëse qendrat e votimit u hapën në kohë, nëse të gjitha materialet e nevojshme janë të pranishme dhe si po zhvillohet procesi zgjedhor. Në këtë fazë, është ende herët për të nxjerrë përfundime. Një vlerësim i plotë do të jepet në konferencën tonë për shtyp ditën e martë”, tha ajo.

Ajo më tej ka theksuar Bashkimi Evropian mbështet plotësisht demokracinë në Kosovë.

“Me 104 vëzhgues të BE-së në terren, ne jemi të përkushtuar të monitorojmë nga afër procesin zgjedhor. Bashkimi Evropian mbështet plotësisht demokracinë në Kosovë dhe dëshiron të sigurohet që të gjithë votuesit të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës.

Kështu thuhet në njoftimin e prokurorisë, duke shtuar se në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme.


DnV iu bën thirrje qytetarëve që të votojnë

Demokracia në Veprim mbajti konferencën e parë për ditën e sotme. Ismet Kryeziu  e cilësoi këtë si ditë të rëndësishme për demokracinë.

“DNV si koalicion i organizatave joqeveritare ka përgjesitë dhe rolin e saj që të jetë e angazhuar dhe është e angazhuar që ky proces të jetë i drejtë i barabartë dhe të jetë në kuadër të rregullave të lojës, sot për të pasur një proces të besueshëm për të gjithë akterët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.”, tha ai, përcjell portali rtv21.tv

Krasniqi më tej tregoi se ky koalicion i organizatave ka angazhuar rreth 500 vëzhgues në 500 vendvotime për të përcjellë nga fillimi i hapjes procesit të votimit e deri te shpallja e rezultateve në Kosovë.

“Kosovë Të nderuar qytetarë për 30 ditë kemi dëgjuar partitë politike kemi dëgjuar programet e tyre kemi dëgjuar vizionet e tyre e sot është dita kur ata heshtin e na dëgjojnë neve, sot është dita kur vota jonë fuqia jonë është ajo mundësi e jona të votojmë e të përcaktohemi për zgjedhjen e përfaqësuesve tanë të cilët do të na përfaqësojnë në 4 vitet e ardhshme dhe ne si DNV ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që sot të votojnë.”, u shpreh Krasniqi


Voton Ramush Haradinaj

Kandidati i për kryeministër të koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët, Ramush Haradinaj votoi në orën 9:00 në shkollën e mesme “Ali Sokoli” në Prishtinë.

Ai iu bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të votojnë.

“Ka filluar mirë dhe informatat janë që në të gjithë vendin ka filluar procesi Hana dhe Gjini votojnë për herë të parë, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve dilni me votu vota juaj ka vlerë vetëm në kuti e Kosova ka nevojë për votën ë juaj pra na priftë e mbara e suksese së bashku”, tha Haradinaj, përcjell portali rtv21.tv


Ndalohen 5 persona për veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”

Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton se  pas informatave të pranuara nga qytetarët, ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.

Në rastin e parë ka ndaluar katër persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, përcjell portali rtv21.tv

Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Prokurorët e Shtetit, të cilët po kujdestarojnë sot, do të veprojnë me urgjencë në secilin rast që mund të paraqitet me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve të mundshme gjatë këtij procesi zgjedhor.  Prokurori i Shtetit sërish i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.”, thuhet në njoftim.


Policia vazhdon planin dhe angazhimet policore në mbarëvajtje të procesit zgjedhor

Policia e Kosovës njofton se me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor janë angazhuar një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik.

“por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës. Zyrtarët policor sipas planit operativ kanë filluar punën me orar 12 orësh, duke filluar nga ora 03:00, me hapjen e dhomave komanduese, përcjelljen e materialit senzitiv nga depot komunale në qendrat e votimit dhe vazhdimin e ofrimit të sigurisë.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ky plan operativ ka paraparë katër faza:
1) Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese,
2) Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore,
3) Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z),
4) Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të
materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

“Tanimë dy fazat e para veçse janë realizuar, përderisa tani jemi në zbatimin e fazës së tretë e që është faza kyçe (dita Z), për të vazhduar sipas planit me fazën e fundit, deri në përfundim të procesit zgjedhor.
“Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor vazhdon të jetë:Krijimi
i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve. Sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore. Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor. Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.”, tha njoftimi.

“Policia e Kosovës, bazuar në memorandumin e bashkëpunimit në mes të Policisë, Prokurorisë dhe KQZ-së, vazhdon të ketë të caktuar zyrtarë/hetues në të gjitha drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nën autorizimet e prokurorëve të caktuar për këtë çështje nga Prokuroria e Shtetit. Po ashtu janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime me kohë për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit si dhe të jetë transparente mbi punën dhe angazhimet e saja policore. Inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre. Raportoni, nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose 038 550 999, në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore.”, përfundon njoftimi


Telashe në qendrën e votimit me kusht në Viti

Telashet në sistemet për votim po vazhdojnë.

Raportohet se në Viti ka probleme në qendrën e votimit me kusht në shkollën “Dëshmorët e Vitisë” në qendrën 2601.

Sipas gazetarit të RTV21, Erjon Hasani sistemi në këtë qendër votimi nuk po punon, me ç’rast as nuk po votohet.

Siç raportohet në Viti nuk ju është dërguar paswordi nga Prishtina për me funksionu votimi me kusht./21Media 


Dita e zgjedhjeve, 100 prokurorë të shtetit po qëndrojnë kujdestarë

Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, njofton Zyra e Prokurorit të Shtetit.

“Në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme. “, thuhet në njoftim

Bëhet e ditur se prokurorët do të qëndrojnë në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, “prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve.”

“Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula do ta mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ.

Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.”, përfundon njoftimi.


Serbët votojnë në mënyrë të organizuar në veri

Votimi për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka nisur edhe në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe. Anëtarë të Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë financohet nga Begoradi zyrtar, iu drejtuan qendrave të votimit në mënyrë të organizuar.

Votimi për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka nisur edhe në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe. Anëtarë të Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë financohet nga Begoradi zyrtar, iu drejtuan qendrave të votimit në mënyrë të organizuar.

Në mesin e tyre ishte edhe kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek.

Lista Serbe ishte larguar nga institucionet e Kosovës në vitin 2022.

Policia e Kosovës i tha portalit rtv21.tv se procesi zgjedhor në veri po zhvillohet pa ndonjë incident.


KQZ: Të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi tha se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.

“në orët e hershme të mëngjesit dhe me kohë është shpërndarë materiali zgjedhor ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet në të gjitha qendrat e votimit Duke u mbështetur në të gjitha informacionet që kemi pranuar deri tani në të gjitha qendart e votimit në Republikën e Kosovës ka filluar procesi i votimit në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, përveç zgjedhjeve të rregullta”, tha Elezi.

Ai shtoi se KQZ ka hapur edhe 38 qendra të votimit me kusht nga një për secilën komunën me gjithsej 65 vendvotime.

“Numri i personave që kanë të drejte votë është 1 milion e 970944 votues numri i subjekeve politike është 28 prej të cilave 20 parti politike, 5 koalicione 2 nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur KQZ iu bën thirrje qytetarëve të votojnë, gjithashtu bëj sërish të ditur vendimin e KQZ-së se qytetarët mund të votojnë edhe me mjete të identifikimit me afat të skaduar.”, deklaroi ai.


Maratona e zgjedhjeve, nis votimi edhe në Prishtinë, Pejë, Prizren, Vushtrri dhe Drenas 

Në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit në Kosovë për zgjedhjet parlamentare dhe ato do të jenë të mbesin të hapura deri në orën 19:00.

Mbi 2 milionë qytetarë, brenda dhe jashtë Kosovës, kanë të drejtë vote.

Gazetarët e RTV21 nga terreni kanë bërë të ditur se procesi i votimit me kohë ka filluar edhe në Vushtrri, Prizren, Prishtinë, Pejë, Drenas, Gjilan, Gjakovë, Klinë.

Votimi në qendrën e votimit “Ismail Qemali” në Prishtinë

Hapet Qendra votimit shkolla fillore “Rasim Kiçina” Drenas, procesi i votimit fillon me kohë

Votimi nga qendra e votimit në Gjakovë

Zgjedhjet në Klinë

Nga shkolla “Ismail Qemali” në Prishtinë, drejtoresha e shkollës flet për ecurinë e votimeve dhe disa probleme teknike 

Gazetari i RTV21 raporton nga shkolla Zenel Hajdini, ku votimet kanë filluar pa probleme 

Në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.

Të drejtë vote kanë mbi 2 milonë qytetarë, brenda dhe jashtë Kosovës.


Hapen të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës 

Të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës janë hapur me kohë për zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot në vendin tonë.

Janë gjithsej gjashtë qendra me 24 vendvotime, ndërsa 18 mijë e 781 qytetarë do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Në kohën kur po raportojmë, në njërën prej qendrave të votimit që është shkolla e mesme teknike ‘Mihajlo Petroviq-Alas’, numri i qytetarëve të interesuar për të marrë pjesë në këtë proces është i vogël.

Ndryshe, në katër komunat veriore të vendit, Leposaviq, Zvecan, Zubin Potok dhe Mitrovicë Veriore, janë gjithsej 44 qendra të votimit me 74 vendvotime, ku do të mund të votojnë 46 mijë e 703 qytetarë.


Hapen qendrat e votimit, voton kryetari i KQZ-së

Në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit në Kosovë për zgjedhjet parlamentare dhe ato do të jenë të mbesin të hapura deri në orën 19:00.

Votën e parë e dha kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi. Ai ka votuar në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Pejë.

Ai tha se beson se edhe në gjitha komunat tjera janë hapur qendrat e votimit.

“Sot votohet në Republikën e Kosovës, ditë kjo që KQZ është angazhu të 6 muaj në organizimin e këtyre zgjedhjeve duke i tejkalu shumë sfida, dhe tani gjithçka është gati siç e shihni në këtë qendër të votimit puna ka fillu në 7 në mëngjes edhe besoj që në të gjitha komunat tjera vendvotimet janë hapur por këtë do ta merrrni një informacion më vonë. Sa i përket procesit ftoj të gjithë qytetarët të votojnë”, tha Radoniqi.

Mbi 2 milionë qytetarë, brenda dhe jashtë Kosovës, kanë të drejtë vote.

Ata do të zgjedhin përbërjen e re parlamentare, e cila më pas zgjedh ekzekutivin e ri të Kosovës./21Media


Kosova voton

Qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote, sot nga ora 07:00 deri në orën 19:00, do të kenë mundësi për të votuar për zgjedhjet parlamentare.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, nga 2 milionë e 47 mijë e 295 qytetarë, në Republikën e Kosovës janë 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, është 104 mijë e 924.

Nga 1.6 milion banorë prej regjistrimit të fundit të popullsisë, numri i qytetarëve mbi 18 vjeç në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në Kosovë është 1 milion e 179 mijë e 73. Qe i bie se 868,224 qytetarë me të drejtë vote janë me qëndrim jashtë vendit.

Ata do të mund të zgjedhin në mes të 28 subjekteve politike, prej të cilave 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 941 qendra votimi, ku për votimin e rregullt janë hapur 2,533 vendvotime, ndërsa për votimin me kusht janë caktuar 38 qendra me gjithsej 56 vendvotime.

Këto zgjedhje janë të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës, kurse të parat zgjedhje të rregullta nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Ndërkaq, dje procesi i votimit u zhvillua edhe jashtë Kosovës, ku diaspora votojë në Ambasada.

Të drejtën e votës e shfrytëzuan, mbi 50 përqind e votuesve.

Procesi zgjedhor do të përcillet drejtpërdrejt në ekranet televizive edhe nga RTV21 që ka shpërndarë ekipet në terren./ 21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button