Kosovare Asllani viziton Kosovën për nder të Pavarësisë
Kosovare Asllani ka vizituar sot Kosovën në kuadër të shënimit të 15 vjetorit të Pavarësisë.
Futbollistja me prejardhje kosovare, që mbron ngjyrat e Kombëtares së Suedisë, erdhi në Kosovë nën epitetin e Ambasadores së Shpresës së Mirë të UNICEF-it.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) bëri pritjen e Asllanit, ndërsa edhe i dhuroi asaj figurën e “Hyjneshës në Fron” duke theksuar se Kosovarja është një “Hyjneshë Futbolli”.
Në anën tjetër, Asllani falënderoi për mikpritjen e veçantë dhe i uroi të gjithë popullit Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Po ashtu, Asllani theksoi se është shumë e lidhur me Kosovën dhe shprehu dëshirën që ndeshja përmbyllëse e karrierës të jetë pikërisht ajo ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, për çka presidenti Ademi i premtoi se kurdo që vjen ajo ditë, FFK do të jetë e gatshme të organizojë një ndeshje të tillë.
Ndërkaq, Kosovarja u shpreh e gatshme që në të ardhmen të kontribuoj edhe si trajnere Kosovës.