Kosovës i bashkohet një tjetër talent 18 vjeçar

Talenti i Eintracht Frankfurtit, Dritan Maqkaj nga sot është anëtar i ri i Kombëtares së Kosovës.
18-vjeçari me prejardhje nga Kosova, i lindur në Gjermani, deri më tash ka qenë pjesë e ekipit kombëtar gjerman U18, por tani e tutje ka vendosur t’i mbrojë ngjyrat e vendlindjes së prindërve, ka bërë të ditur FFK.
Dritan Maqkaj, sot, është takuar me presidentin Agim Ademi dhe drejtorin e kombëtares, Muharrem Sahiti, duke vendosur që nga tash e tutje kontributin e tij ta japë në fanellën e Kombëtares së Kosovës.
Maqkaj, i cili luan si anësor i majtë në ekipin U19 të Eintracht Frankfurtit, tash e sa kohë ka qenë nën përcjelljen e përfaqësuesit të FFK-së në Gjermani, Fekmi Kongjeli dhe pas bisedave të vazhdueshme përfundimisht ka vendosur t’i thotë “Po” Kosovës.
Maqkaj fillimisht pritet të luajë për Kombëtaren U21, derisa duke pasur parasysh potencialin e tij të madh, në të ardhmen e afërt pritet të jetë edhe pjesë e Kombëtares A./21Media

Back to top button