Kovaçevski takohet me Kurtin: Uroj biseda produktive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Dimitar Kovaçevski, pak para nisjes së takimeve në kaudër të dialogut Prishtinë-Beograd që do të mbahen në Ohër.
Edhe pse nuk ka pasur deklarime për media, në një postim në “Facebook”, kryeministri maqedonas i uroi Kurtit një ditë të suksesshme dhe bisedë produktive.
“Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i uroj një ditë të suksesshme dhe biseda produktive dhe të suksesshme dhe në të njëjtën kohë e përgëzoj për përkushtimin e shprehur për të ndërmarrë hapa konkretë të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit”, shkroi Kovaçevski.
Ai shtoi se është shumë e rëndësishme që vendet e rajonit të kenë marrëdhënie fqinjësore dhe të rrugëtojnë së bashku drejt të ardhmes evropiane.
“Marrëdhëniet e mira fqinjësore, marrëveshja në vend të konfliktit dhe zhvillimi në vend të regresionit janë postulate që duhet të na çojnë ne, politikanëve të shekullit të 21-të, të cilët duam t’i udhëheqim vendet tona, dhe rrjedhimisht edhe Ballkanin Perëndimor drejt një të ardhmeje më të mirë evropiane”, përfundoi Kovaçevski.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Ndërmjetësues të takimit janë shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në cilësinë e vëzhguesit është i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në tryezë të diskutimeve gjendet aneksi i zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi./21Media