“Kovaçki nuk mund të emërohet ministër, sepse është antikushtetues”

Kovaçki, pjesë e “ujqërve” në konfliktin e 2001-it, njohësit: nuk mund të emërohet ministër, është anti-kushtetues

Dragan Kovaçki nuk mund të jetë ministër teknik i Punëve të Brendshme, sepse neni 97 i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut thotë se për ministër mund të emërohet një person civil apo që 3 vitet e fundit para emërimit të mos ketë qenë figurë ushtarake dhe policore, vlerësuan njohësit e çështjeve të Kushtetutës.

Por, emërimi i një figure ushtarake për ministër nuk është rasti i vetëm, sepse kjo ka ndodhur më parë edhe me emërimin e Mitko Çavkovit dhe Siljan Avramovskit për ministër të Punëve të Brendshme, dhe me zëvendësministrin aktual, Bekim Maksuti, raporton TV21.

Pavarësisht kësaj,  njohësi i Kushtetutës, Temellko Risteski, thotë se Kovaçki nuk mund të emërohet ministër, sepse është antikushtetues.

Në të njëjtën vijë është edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trendafil Ivanovski. Ai vlerësoi se lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski duhet të propozojë emër të ri për ministër të Brendshëm.

Në aspekt profesional ka biografi të begatë për politika të sigurisë. Vjen nga armata dhe është kolonel. Ka marrë pjesë në misionet e NATO-s, ndërkaq ka kryer edhe trajnime të shumta në SHBA dhe Evropë për luftë kundërterrorizmit dhe të kundërzbulimit. ka qenë pjesë e njësive speciale “Ujqërit” të cilët kanë marrë pjesë në konfliktin e armatosur të vitit 2001.

Ai dje u propozua nga partia opozitare, VMRO-DPMNE si ministër teknik i Punëve të Brendshme. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev nuk e refuzoi propozimin, por shprehu dilemën se nëse një figurë ushtarake mund të emërohet ministër dhe citoi nenin 97 të Kushtetutës.

Propozimi i Kovaçkit vjen në kuadër të formimit të Qeverisë teknike që vjen 90 ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për më 12 prill të 2020-s, që i bie më së voni deri më 3 janar. Kjo parashihet me Marrëveshjen e Përzhinës, e cila thotë se në Qeverinë Teknike ministri i Punëve të Brendshme i takon opozitës, në këtë rast, VMRO-DPMNE-së./21Media

Back to top button