KPK dhe Prokuroria i reagojnë deklaratave të Kurtit e Haxhiut

Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit i kanë reaguar deklaratave të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke i quajtur ato të pasakta e tendicioze.
“KPK shpreh shqetësimin lidhur me riciklimin e vazhdueshëm të deklaratave të pamatura, të paverifikuara ndaj sistemit prokurorial, që po bëhen vetëm për konsum dhe agjendë politike nga ana e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Faktikisht, këto prononcime publike të Kryeministrit dhe Ministres së Drejtësisë për parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale në Prokurori, demantohen tërësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokurorial. Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale nga viti 2017 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, janë parashkruar katër (4) raste, që ka pasur të bëjnë me dhunën seksuale”, thuhet në reagimin e KPK-së.
KPK i quajti të pasakta deklaratat e Kryeministrit Kurti.
“Në këtë rast, theksojmë se informacionet e deklaruara sot nga Kryeministri janë të pasakta, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë krejtësisht tendencioze ndaj sistemit prokurorial. KPK dhe Prokurori i Shtetit ia bëjnë me dije Kryeministrit dhe Qeverisë se statistikat zyrtare nuk hartohen me paragjykime, por verifikohen, analizohen me profesionalizëm dhe miratohen në takimet e hapura për publikun nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Për më tepër, ky deklarim i pasaktë dhe tendencioz i Kryeministrit, shpreh nevojën që Kryeministri i vendit të bashkëpunojë dhe bashkëveprojë me sistemin prokurorial në suaza të kompetencave përkatëse, duke respektuar normat dhe standardet e funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës”, përfundon komunikata e KPK-së./21Media
|m1\-w|m3ga|m5

Back to top button