KPK shpall konkurs për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Gjakovë

Këshilli Prokurorial i Kosovës(KPK) ka shpallur konkurs për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Gjakovë. Konkursi do të jetë i hapur nga data 1 qershor dhe vendimi për këtë është marrë në takimin e 230 të KPK-së.

Në një komunikatë për media, Këshilli Prokurorial ka bërë të ditur se është themeluar edhe Paneli Vlerësues dhe Komisioni për rishqyrtim.

Gjithashtu, në mbledhje është vendosur për hapjen e shpalljes së brendshme për avancimin e dy prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Sipas njoftimit, anëtarët e KPK-së kanë miratuar edhe raportin e Komisionit për avancimin e pesë prokurorëve në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Ndër të tjera është aprovuar kërkesa e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës për transferimin e përkohshëm të dy prokuroreve nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, si dhe është marrë vendim për hapjen e shpalljes së brendshme për transferimin e përhershëm të dy prokurorëve në këtë prokurori.

KPK ka miratuar dy raporte të Komisionit të Vlerësimit të Performancës për 16 prokurorë me mandat të përhershëm dhe ka aprovuar një marrëveshje vullnetare për shkeljen e supozuar disiplinore ndaj një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prizren.

Back to top button