KQZ: 17 parti kanë depozituar listat e kandidatëve

Miratimi nga KQZ-ja duhet të përfundojë brenda datës 5 maj

Në përfundim të afatit ligjor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri, ka informuar sot se pranë këtij institucioni kanë depozituar listat shumë emërore gjithsej 17 parti politike, ndërkohë që miratimi i tyre nga ky institucion duhet të përfundojë brenda datës 5 maj.

“Gjithashtu KQZ, nisur nga situata politike ku ndodhet vendi, iu tërheq vëmendjen të gjithë faktorëve dhe aktorëve politike se, nëse ende synohen manovra gjithëpërfshirëse, prej datës 3 maj, jo vetëm ligjërisht, por edhe teknikisht shkelet kufiri i pamundësisë së çdo zgjerimi të pjesëmarrjes, thuhet në një deklaratë për shtyp të zëdhënëses se KQZ-së, Drilona Hoxhaj.

Hoxhaj bëri të ditur partitë politike që kanë depozituar listat shumë emërore, që konkretisht janë:
1. Partia Komuniste e Shqipërisë
2. Sfida për Shqipërinë
3. Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen
4. Partia Lista e Barabartë
5. Partia Uniteti Kombëtar
6. Aleanca Popullore për Drejtësi
7. Partia Demokracia Sociale
8. Partia Aleanca Demokratike
9. Partia Kristian Demokrate
10. Lëvizja Socialiste për Integrim
11. Partia Aleanca Arbnore Kombëtare
12. Partia për Drejtësi Integrim Unitet
13. Partia Social Demokrate
14. Partia Socialiste e Moderuar
15. Partia Socialiste
16. Fryma e re Demokratike
17. Partia Aleanca Demokristiane

KQZ sipas Kodit Zgjedhor është duke verifikuar dokumentacionin e kandidimit për të gjitha partitë politike që kanë depozituar listat shumemërore. Po ashtu, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit KQZ ka nisur dhe verifikimin e formularëve të vetëdeklarimit për kandidatët për deputetë.

Listat shumëmërore të partive, që cilat janë në përputhje me Kodin Zgjedhor do të miratohen nga KQZ jo më vonë se 5 maji, ndërkohë, që për listat shumëmërore të partive politike tek cilat do të konstatohen parregullsi në dokumentacionin e kandidimit, do të kthehen për plotësim jo më vonë se data 4 maj.
I gjithë procesi i miratimit ose refuzimit nga KQZ i listave shumemërore për kandidatët për deputetë, do të përfundojë brenda datës 9 maj.

KQZ, pasi të miratojë listat shumemërore e kandidatëve për deputetë do t’i publikojë ato në faqen zyrtare, së bashku me formularët e dekriminalizimit dhe jetëshkrimet (CV).

Back to top button