KQZ cakton datën e votimit për largimin e kryetarëve në veri

Me tetë vota pro dhe dy abstenime, anëtarët e KQZ-së votuan rekomandimin që më 21 prill të votohet për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës.
Ky rekomandim erdhi nga Sekretariati i KQZ-së, pasi verifikoi nënshkrimet e dorëzuara të peticionit nga kuvendet komunale të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut.
Sipas Sekretariatit, në këto katër komuna është arritur kërkesa prej 20% të nënshkrimeve të kërkuara nga numri i përgjithshëm të votuesve, në mënyrë që të votohet për largimin e udhëheqësve komunalë.
Kreu i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, tha se në komunën e Leposaviqit peticionin për nisjen e procedurave për largimin e kryetarit të komunës e kanë nënshkruar 3.030 persona. Prej tyre, 2.905 është verifikuar se u përkasin banorëve të kësaj komune me të drejtë. Me këtë shifër është plotësuar kërkesa prej 20 për qind, pasi kërkohej që të mblidheshin nënshkrimet e së paku 2.689 personave.
Në Zubin Potok, nga 1.576 nënshkrime, 1.380 janë vërtetuar se u përkasin qytetarëve me të drejtë vote. Nga numri i përgjithshëm i votuesve, që peticioni të konsiderohej i vlefshëm në këtë komunë kërkoheshin që të mblidheshin së paku 1.347 nënshkrime.
Sa i përket peticionit në Zveçan, ai, sipas KQZ-së, u nënshkrua nga 1.834 persona dhe nga ky numër 1.380 u vërtetuan se u përkisnin qytetarëve që kanë të drejtë vote në Zveçan. Që peticioni të kalonte, në këtë komunë kërkohej të mblidheshin së paku 1.347.
Ndërkaq, në Mitrovicë të Veriut u mblodhën 4.148 nënshkrime prej të cilave 3.653 u përkisnin banorëve me të drejtë vote. Në këtë komunë kërkoheshin së paku 3.640 nënshkrime në mënyrë që peticioni të konsiderohej i vlefshëm.