KQZ-ja nuk rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka ardhur në përfundim se ky komision nuk rekomandon nëse duhet të shtyhen zgjedhjet apo jo për një datë tjetër.
Këtë e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani.
“KQZ nuk rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve”, ka thënë ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur sot një mbledhje të jashtëzakonshme në lidhje me zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës.
Kryetari Kreshnik Radoniqi ka thënë se KQZ-ja vetëm i organizon ato dhe nuk bën rekomandime.
Sipas tij, janë instancat e tjera që vlerësojnë nëse është e përshtatshme që të mbahen zgjedhjet më 18 dhjetor apo jo.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur raport nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), për të marrë vendim për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës.
Sipas vendimit të Osmanit, zgjedhjet për kryetarët e komunave veriore do të mbahen më 18 dhjetor, ndërsa për kuvendet komunale në Zveçanin e Leposaviqit më 25 dhjetor.
Por në ditët e fundit në veri janë shënuar disa incidente. Ka pasur hedhje të shokë-bombave, të shtëna me armë e sulm ndaj zyrtarëve të ushtrisë së Kosovës. Incidentet kanë nisur të martën e kësaj jave, kur zyrtarët e KQZ-së tentuan që të futen në zyrat e komisioneve zgjedhore komunale./21Media

Back to top button