KQZ-ja publikoi raportet financiare të partive politike për vitin 2022

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) publikoi sot raportet e paaudituara financiare të partive politike të vitit 2022.

“Duke pasur parasysh se ende nuk është bërë auditimi i këtyre raporteve, publikimi i tyre shoqërohet me tekstin sqarues: ‘Këto raporte financiare janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit’. Pas përfundimit të procesit të auditimit nga auditorët e jashtëm, raportet e audituara do të publikohen në të njëjtën hapësirë në ueb faqen e KQZ-së”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Sipas këtyre të dhënave, të cilat sipas KQZ-së mund të pësojnë ndryshime, të hyrat e partisë në pushtet janë më të larta për me shumë se gjysmë milioni ose për 574 mijë e 258 euro, sesa të hyrat e tri partive opozitare së bashku.

Sipas raportit të publikuar për Lëvizjen Vetëvendosje, kjo parti gjatë vitit të kaluar ka pasur të hyra gjithsej 2 milionë e 53 mijë e 868 euro, ndërkohë që ka shpenzuar 1 milion e 308 mijë e 147 euro.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas këtij raporti gjatë vitit 2022 ka pasur 673 mijë e 710 euro të hyra, ndërkohë që ka shpenzuar 612 mijë e 638 euro.

Sipas raportit Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë vitit të kaluar ka pasur të hyra gjithsej 526 mijë e 200 euro, ndërkohë që ka shpenzuar 428 mijë e 524 euro.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë vitit 2022 sipas këtij raporti ka pasur 279 mijë e 700 euro të hyra, ndërsa ka shpenzuar 219 mijë e 370 euro.

Të gjitha raportet e paaudituara financiare të partive politike për vitin 2022 janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së: Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për Subjekte Politike > Raportet Vjetore Financiare, ose në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbime-per-subjektet-politike/raportet-vjetore-financiare-te-audituara/

Back to top button