KQZ pritet të marrë vendim për rinumërim të rreth 500 vendvotimeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhje gjatë ditës së sotme në të cilën do të paraqitet një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve dhe do të votohet rekomandimi për rinumërim të rreth 500 vendvotimeve.
Këtë ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, duke thënë se anëtarët e KQZ-së gjatë mbledhjes pritet t’i votojnë rekomandimet për rinumërimin e vendvotimeve.
“Mund t’iu konfirmoj se në mbledhjen e sotme të KQZ-së do të paraqitet një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve me disa rekomandime për rinumërim të rreth 500 vendvotimeve dhe natyrisht se anëtarët e KQZ-së do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendim meritor”, tha Elezi.
Elezi shtoi se QNR-ja ka ardhur deri te këto rekomandime pasi këto vendvotime nuk kanë mundur të kalojnë procesin e auditimit.
“Arsyet janë të ndryshme dhe kryesisht kanë të bëjnë me bartjen e gabuar të votave në formularin e subjekteve politike dhe formularin e kandidatëve; si dhe për shkak se në një numër të madh të vendvotimeve kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik”, ka thënë Elezi.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?