Ndryshimi i ligjit për votimin e diasporës – prioritet i VV-së

 

Ndryshimi i ligjit për votimin e diasporës është njëri ndër veprimet e parë që Lëvizja Vetëvendosje premton se do e ndërmerr. VV premton se së shpejti do tu mundësojë mërgatë të votojë në ambasada dhe konsullata.

“Me t’u formuar institucionet, ndër hapat e parë që Lëvizja VETËVENDOSJE! do të ndërmarrë në Kuvend është ndryshimi i ligjit ashtu që mërgata të ketë të drejtë të votojë edhe në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu.

Sipas tij, numri i votave të pavlefshme nga diaspora është dëshmi se procesi i votimit nga jashtë duhet të ndryshohet.

“Nëse nga rreth 200 mijë të regjistruar për votim nga jashtë dhe qindra euro pagesa për shërbim postar, një numër shumëfish më i vogël i tyre mbërrijnë në Kosovë me kohë, e shumëfish më i vogël numërohen si vota të vlefshme atëherë këtu problemi është sistemor e institucional. Prandaj edhe ndërhyrja duhet të jetë e këtillë”, ka deklaruar Kryeziu.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar deri më tani më shumë se 16 mijë zarfe nga diaspora, ndërkaq ka refuzuar 6 mijë e 800 të tjera. Ndaj këtij vendimi kanë reaguar organizata që përfaqësojnë të drejtat e mërgatës kosovare./21Media

Back to top button