KQZ shtyn rekomandimet për qendrat e votimit në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mungesë të raporteve, ka shtyrë për mbledhjen e radhës rekomandimet e Këshillave Komunal Zgjedhor për qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan.

Përveç kësaj pike, KQZ ka shtyrë për takimin e radhës edhe shqyrtimin dhe miratimin e numrit të fletëvotimeve që shtypen për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat dhe zgjedhjet për kuvendet komunale në dy komuna, si dhe rekomandimi për rritjen e numrit të votuesve për vendvotime për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave në Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj në mbledhjen e KQZ-së, tha se për shkak se Komisionet Komunale Zgjedhore ende nuk i kanë bërë vlerësimet e tyre dhe nuk ka raport, po kërkohet që këto tri pika të shtyhen për diskutim në mbledhjen e radhës.

“Arsyetimi është që këto pika që të shtyhen për mbledhjen e radhës me qëllim që pas vlerësimit të KKZ, në secilën komunë ta kemi raportin e plotë në mënyrë që të trajtohet nga KQZ, sepse nuk ka arritur të kryhet në kohë nga KKZ, të cilët janë duke punuar nga zyra në katër komunat…Për vlerësimin e qendrave të votimit që lidhet me vendvotimet dhe numrin e votuesve dhe këto tria janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën”, tha ai.

Këtë arsyetim e kërkoi Arianit Elshani nga PDK, i cili më pas kërkoi të njoftohen më shumë rreth organizimit zgjedhor që po ndodh në katër komunat veriore.

“Duhet t’i jepet arsyetimi se pse po hiqen pra si pika të rendit të ditës, pa një lloj arsyetimi nuk mund të marrim ndonjë vendim”, u shpreh ai.

E anëtari i KQZ-së nga PDK, Ilir Gashi, tha se anëtarët e Këshillave Komunale Zgjedhore, që tashmë ushtrojë detyrën e tyre në komunat veriore, akoma nuk kanë asnjë qasje apo kontakt me komunat përkatëse për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Sipas tij, zyrtarët komunal zgjedhor nuk kanë kontaktuar asnjë drejtorë shkolle akoma dhe nuk posedojnë asnjë informatë se a do të lejohet hapja e shkollave apo jo.

“Edhe KKZ për shkak të specifikave, nuk e kanë mundësinë, e dimë që janë me ushtrues detyre dhe janë dërguar nga jugu në komunat veriore dhe nuk mund që të presim që nga vlerësimi i tyre me dhënë vlerësime ne këtu, sepse nga ajo që ne dimë dhe propozimet e dimë është krijimi i qendrave alternative.. anëtarët e KZZ që tashmë ushtrojnë detyrën e tyre në komunat veriore, ata akoma nuk kanë asnjë qasje apo kontakt me komunat përkatëse për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, mbi këtë bazë, ata nuk kanë kontaktuar asnjë drejtorë shkolle akoma dhe nuk posedojnë asnjë informatë se a do të lejohet hapja e shkollave apo nuk do të lejohet, nuk ka asnjë raport”, tha Gashi.

Gashit iu kundërpërgjigj kryesuesi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi duke thënë se ende nuk kanë ndonjë raport prej Komisioneve Komunale Zgjedhore dhe nuk kanë informata për këto lloj komunikime.

“Ne nuk kemi ende raport prej këtyre se a kanë komunikuar se a kanë mund të bëjnë diçka ende, nuk dimë asgjë, dhe nuk jam kah e kuptoj ju si po e dini a kanë komunikim apo jo”, u shpreh Radoniqi.

E përsëri anëtari i PDK-së reagoi duke thënë se po hiqen nga rendi i ditës këto pika, pasi dihet fakti se krijimi i qendrave alternative të votimit, nuk mund të bëhet pa një raport të akterëve të sigurisë.

“I keni heq nga rendi i ditës sepse raportet kanë ardhur, i keni heq nga rendi i ditës për fakti se krijimi i qendrave të reja alternative nuk mund të bëhet pa një raport të çështjes së sigurisë dhe nuk mund të marrim hapave përtej mundësive dhe kapaciteteve tona si institucion”, u shpreh ai.

Gashi po ashtu në këtë mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u interesua të di se pse KKZ dhe ZLKZ-së, tash janë vendosur në stacionet policore, derisa vendimi ishte që ato të vendoseshin në qendrat e regjistrit civil.

E kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj u shpreh se ky vendim ka ardhur pas koordinimit me organet e sigurisë, pas kërkesës së tyre për një ambient të përshtatshëm për nga hapësira dhe aspekti i sigurisë.

Sipas tij, hapësirat në zyrat e regjistrit civil ishte të ngushta për zhvillimin e punës.

“KQZ dhe sekretariati është në koordinim të vazhdueshëm shumë të madh me organet relevante sidomos të sigurisë dhe ajo që kemi kërkuar ka qenë që ta kemi një ambient të përshtatshëm dhe të sigurt që ne të mund t’i zhvillojmë aktivitetet e Zyrave të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në secilën komunë. Vendi më i përshtatshëm për shkak edhe të hapësirës edhe për shkak të elementeve të sigurisë në bashkëpunim edhe me organet e sigurisë kemi konstatuar se janë stacionet e policisë sepse ne zyrat e regjistrimit civil që kemi konsideruar që mund të jenë aty hapësirat kanë qenë të ngushta dhe të papërshtatshme, kemi vendosur që ta kemi një zyre me hapësirë sepse nuk do të jetë Zyrtari i lartë Komunal i zgjedhjeve por komplet trupa”, u shpreh ai.

E gjatë mbledhjes së sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi përmbajtjen dhe dizajnin e fletëvotimeve për dy proceset zgjedhore që do të mbahen më 23 prill, pra për zgjedhjet për kryetar në katër komuna dhe në dy prej tyre edhe për kuvendet komunale.

Po ashtu, KQZ certifikoi edhe listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, si dhe për dy kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill.

Kjo listë përmban 45,095 emra të votuesve, apo 1,345 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet Lokale 2021.

Back to top button