Krasniqi: Besoj fuqishëm idealin për barazi gjinore

Në kuadër të Konventës Programore të Gruas Demokratike të Kosovës, është mbajtur paneli i parë i diskutimit me temën “Bashkë! 50/50”.
Në këtë panel, i cili u moderua nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, morën pjesë pesë anëtare të strukturave të Rinisë Demokratike të Kosovës, Jona Arifi, Arbnora Salihu, Aurora Nura, Vlera Tahiri dhe Dhurata Muharremi.
Krasniqi tha se si kryetar i PDK-së beson fuqishëm në idealin për barazi gjinore.
“Unë vërtetë besoj fuqishëm dhe e kam të përbrendësuar idealin dhe aspiratën për barazi gjinore dhe për përfaqësim të barabartë gjinor edhe në instancat institucionale dhe padyshim në politikë”, tha kryetari Krasniqi.
Arbnora Salihu, asambliste e PDK-së në Ferizaj, e zgjedhur pa kuotë gjinore tha se prioritet i saj është fuqizimi i grave dhe të rinjve. Aurora Nura, e cila ka studiuar jashtë vendit ka vendosur të kthehet në Kosovë për të kontribuar për vendin. Vlera Tahiri, studente e inxhinierisë kompjuterike dhe anëtare e kryesisë së Rinisë Demokratike në Vushtrri ftoi të gjitha gratë dhe vajzat e reja që kanë aspirata politike t’i bashkohen PDK-së. Jona Arifi, anëtarja më e re e Këshillit Drejtues të PDK-së, tha se ajo i bashkohet kauzave në të cilat beson thellë, dhe e tillë është kauza e PDK-së. Dhurata Muharremi, studente e stomatologjisë dhe aktiviste e re tha se përherë ka besuar në fuqinë e grave për të shërbyer bashkë me burrat dhe për të kontribuar për vendin./21Media

Back to top button