Krasniqi e quan hap historik votimin e propozimit francez nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përgëzuar shumicën parlamentare të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, që sot me shumicë votash votoi propozimin francez.

Krasniqi ka thënë se ky hap, sa i rëndësishëm aq edhe historik për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të cilat ditëve që vijnë do të hapin edhe zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Duhet të vlerësojmë veçanërisht përkushtimin e deputetëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët duke lënë anash populizmin e duke u sjellë si burrështetas në një kompromis jo të lehtë, dëshmuan lidership frymëzues për tërë rajonin. Vendimi i radhës i BE-së për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, rikthen shpresën dhe besimin e lëkundur në të gjithë Ballkanin Perëndimor, posaçërisht për Kosovën që pret vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi të shtunën një propozim të Francës, për zgjidhjen e një kontesti rreth gjuhës dhe historisë midis Shkupit dhe Sofjes, që i hap rrugë integrimit të mëtejshëm evropian të Maqedonisë së Veriut./21Media

Back to top button