Krasniqi fton ndërkombëtarët ta monitorojnë situatën në veri
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas tensionimit të situatës në veri të vendit.
Ai ka thënë se vendosja e barrikadave dhe veprimet e paligjshme në veri të vendit janë të papranueshme.
Krasniqi i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të sigurojë liri të lëvizjes dhe respektim të ligjit në çdo cep të vendit.
“Në mungesë të informatave zyrtare nga ana e qeverisë, inkurajoj institucionet tona të sigurisë që të jenë në shërbim të ruajtjes së rendit publik dhe sovranitetit në veri të vendit.Këto veprime duhet të koordinohen edhe me partnerët ndërkombëtarë, të cilët i ftoj që t’i monitorojnë dhe denoncojnë provokimet dhe veprimet e paligjshme të strukturave kriminale në veri të vendit, që qartësisht janë të sinkronizuara me Beogradin zyrtar.”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Tutje ai u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës të mos manipulohen nga politika e Serbisë.
“Serbisë që ka synim destabilizimin e vendit tonë. Të gjithë duhet të punojnë për mbarëvajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë për qytetarët, duke garantuar lëvizjen e lirë për të gjithë.”, ka shkruar Krasniqi.
Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar të dielën me kamionë me mjete tjera rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak – por edhe në pjesë të tjera në veri të Kosovës.
Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak – për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve – për shkak të bllokadave të vendosura dhe ka njoftuar qytetarët që të përdorin rrugë alternative./21Media