Krasniqi: I bëj thirrje BE-së, SHBA-së dhe NATO-s të reagojnë urgjentisht ndaj qasjes së Serbisë

 
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se sulmet ndaj institucioneve tona, siç ndodhën në 24 orët e fundit, shoqëruar me akrobacione ajrore të Serbisë përgjatë kufirit, nuk duhet lejuar që të jenë prelud i përkeqësimit të mëtejmë të situatës.
Krasniqi ka thënë se qeveria duhet të marrë masa për të siguruar jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të asaj ane, pa dallim.
“Njëkohësisht, veprimet bllokuese dhe gjuha nxitëse e konfliktuoze e Serbisë ndaj shtetit dhe sovranitetit tonë, duhet të trajtohet seriozisht”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe partnerëve tanë strategjik, që të reagojnë urgjentisht ndaj kësaj qasjeje, që siç ka shkruar Krasniqi përbën kërcenim të hapur ndaj sovranitetit tonë shtetëror dhe rendit tonë kushtetues.
Të shtunën, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan./21Media
 

Back to top button