​Krasniqi për dy ndeshjet e radhës: Është treni i fundit për ne

Kombëtarja dardane ka mbajtur sot paradite stërvitjen e radhës në Kampin Nacional në Hajvali nën reshjet e shiut, të cilat kanë sjellë freski tek lojtarët.

Përzgjedhësi Alain Giresse ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët, teksa së bashku me stafin e tij krahas ushtrimeve të zakonshme fizike dhe atyre me top, ka punuar në tranzicion të ekipit nga faza e mbrojtjes në atë të sulmit dhe anasjelltas.

Përkushtimi i Dardanëve në stërvitje është maksimal, derisa dëshira që në dy ndeshjet e radhës të marrin rezultat pozitiv është e madhe, të vetëdijshëm për faktin se vetëm në këtë mënyrë mbesin në garë për kualifikim në Euro 2024.

Sulmuesi i krahut, Ermal Krasniqi, ka thënë se duhet marrë fitore në dy ballafaqimet, ndaj Rumanisë dhe Bjellorusisë, sepse ku mund të konsiderohet si treni i fundit që Kosova ta ndjekë kualifikimin në Euro 2024.

“Është ëndërr për çdo futbollist të luaj për shtetin e tij. Përgatitjet po shkojnë mirë dhe lojtarët po duken në formë. Mezi presin ditën e ndeshjes dhe janë të motivuar maksimalisht dhe besoj se do të arrijmë të marrim rezultate pozitive nga këto dy ndeshje. Janë dy ndeshje që duhet t’i fitojmë, sepse është treni i fundit për ne dhe duhet ta japim të gjithë maksimumin për të arritur rezultatin pozitiv. Do të hyjmë në fushë të fitojmë ndeshjet për t’i gëzuar ‘Dardanët’, sepse ata janë lojtari i 12-të për neve në fushë”, ka thënë Krasniqi.

Më 16 qershor Kosova e pret Rumaninë në “Fadil Vokrri”, kurse tri ditë më vonë udhëton për t’u ballafaquar me Bjellorusinë.

Back to top button