Krasniqi: Pranimin e planit franko-gjerman marrëveshje e fshehtë

(Lajm i përditësuar)
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas deklaratës së Kryeministrit Kurti se e ka pranuar propozimin Franko-Gjerman.
Ai ka thënë se Kryeministri Kurti e pranoi këtë propozim pa treguar asnjëherë për qytetarët se çka përmban ai propozim
“Kryeministri Kurti sot deklaroi se e ka pranuar propozimin Franko-Gjerman, pa shpjeguar asnjëherë për qytetarët e Republikës së Kosovës se çka përmban ai propozim. Kështu, ai i dha drejtim një marrëveshjeje në fshehtësi, pa asnjë transparencë, duke lënë shumë pyetje pa përgjigje të cilat i brengosin qytetarët tanë. Ku mbetën kushtet e tij? Cilat prej tyre u plotësuan e cilat jo? A janë përfshirë në këtë plan edhe kushtet e Serbisë? A është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe a është pjesë e saj edhe themelimi i Asociacionit? Mbi të gjitha, a e përfshinë kjo marrëveshje njohjen e ndërsjellë? PDK i ka bërë të qarta kohë më parë pesë shtyllat që i presim nga marrëveshja potenciale me Serbinë. Gjithçka më pak është humbje e madhe për Kosovën, për të cilën, përgjegjës i vetëm do të jetë Albin Kurti”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Kurti pranoi propozimin e BE-së, reagon Çitaku: Po mendon për veten dhe për Bislimin
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti se Kosova ka pranuar propozimin e BE-së.
Ajo në një postim në “Facebook” ka thënë se Kosova mund ta pranojë marrëveshjen vetëm pas votimit në Kuvend dhe ka kërkuar nga Kurti që në Kuvend të sqarojë se ajo marrëveshje a përmban njohjen reciproke dhe se a do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për themelimin e asociacionit.
“Ne e kemi pranuar propozimin paska thënë Kryeministri. Ne, ndoshta po mendon për veten dhe për Bislimin.
Kosova e pranon marrëveshjen pasi ta ketë votuar në Parlament.
Ndërkohë, Kryeministri duhet të vijë në Kuvend dhe të sqarojë:
1) A e përmbanë marrëveshja njohjen reciproke;
2) A do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për themelimin e asociacionit;
Për 6 kushtet e trumpetuara në Kuvend më mirë nuk po flas”, ka shkruar Çitaku.
Kryeministri Albin Kurti e ka thënë sot se Kosova e pranon propozimin evropian, të njohur si planin franko-gjerman./21Media

Back to top button