FSK-ja niset në mision humanitar në Turqi

(Lajm i përditësuar)
Kosova ka nisur një kontingjent në operacionin e kërkim- shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi. Kështu ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një postimi në “Facebook”.
“Pas konsultave me Gjeneral Jasharin, kontakteve direkte gjatë tërë ditës me homologun tim turk, Ministrin e Mbrojtjes, Hulusi Akar, vendimin e kryeministrit Kurti dhe autorizimit nga ana e Presidentes Osmani, nisëm kontingjentin e specializuar të FSK-së për operacionin humanitar në Turqi për reagim me rastin e tërmetit të sotëm”, ka shkruar ajo.
Task-forca e Kovovës përbëhet nga specialistët në kërkim- shpëtim urban, mjekësi emergjente dhe njësitë e K9.
“Varësisht nga nevojat dhe kërkesat e ditëve në vijim do të shtojmë kapacitetet reaguese për reagim, kërkim- shpëtim dhe sanim të pasojave të tërmetit. Republika e Kosovës ka ushtrinë profesionale me moral të lartë për të qenë në shërbim të vendit dhe vendeve e popujve miq kudo dhe kurdo që shfaqet nevoja”, ka shkruar Mehaj.


Qeveria merr vendim për dërgimin e FSK-së në Turqi
Qeveria e Kosovës përmes një mbledhjeje elektronike ka miratuar vendimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në Turqi.
Në komunikatën për media, Zyra e Kryeministrit njofton se ky vendim është marrë sipas kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmeti i sotëm në Turqi.
“Republika dhe populli i Kosovës i qëndrojnë pranë Turqisë dhe popullit të saj në këto kohë të vështira”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.
Autorizohet dërgimi i forcave të FSK-së në operacion humanitar në Turqi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar autorizimin për të dërguar trupa të FSK-së në operacion ndërkombëtar humanitar në Turqi, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.
Turqia është goditur nga tërmete të fuqishme të hënën, përfshirë një 7.8 ballë Rihter. Ky tërmet shkaktoi vdekjen e mbi 2300 personave në Turqi e Siri.
Tërmeti goditi në mëngjesin e të hënës në Gaziantep. Ndërsa pati edhe tërmete tjera të fuqishme.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj kushtetuese, ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar humanitar në Republikën e Turqisë për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve turke për tejkalimin e pasojave tragjike të tërmeteve të sotme. Presidentja Osmani ka shprehur solidaritet të plotë me popullin e Turqisë dhe ka deklaruar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme”, thuhet nga Presidenca.
Edhe Shqipëria ka nisur mjekë e specialistë për në Turqi në mision humanitar.

Back to top button