Krasniqi: Qeveria të mos i diskriminojë dy komunat e udhëhequra nga PDK-ja në veri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar sot dy komunat e pjesës veriore të Kosovës, Zveçanin dhe Zubin Potokun.

Sipas një njoftimi nga PDK, Krasniqi ka takuar kryetarët, Ilir Pecin dhe Izmir Zeqirin si dhe ekipet e tyre ku u njoftua për sfidat e përditshme në këtë pjesë të Kosovës.

“Me Kryetarin Ilir Peci diskutuam për punët dhe sfidat e tyre. Posaçërisht për situatën e sigurisë, e cila është e brishtë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Natyrisht, diskutuam edhe për përkushtimin dhe angazhimin e Kryetarit në shërbim të të gjithë qytetarëve të Zveçanit, pa dallim”, ka thënë Kryetari Krasniqi.

Krasniqi i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos diskriminoj dy komunat që udhëhiqen nga radhët e PDK-së, por t’i trajtoj ato në mënyrë të barabartë.

“U njoftova për sfidat dhe kërkesat e shumta, veçanërisht të banorëve shqitparë të tri fshatrave Kelmend, Zhazhë e Boletin. Ftoj Qeverinë e Kosovës që me urgjencë dhe prioritet të miratoj kërkesat e qytetarëve të kësaj komune për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve të cilët dëshirojnë të kthehen në fshatrat dhe vatrat e tyre”, ka thënë Kryetari Krasniqi.

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka falënderuar Kryetarin Memli Krasniqi për vizitat .

“E falënderoj Kryetarin Krasniqi, si lideri i vetëm politik nga Prishtina që na ka vizituar dhe i cili që nga marrja e mandatit ka qenë pranë nesh për të na mbështetur në punën tonë në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës së Zveçanit”, ka thënë Peci.

Pas Komunës së Zveçanit, Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka vizituar edhe Komunën e Zubin Potokut, ku ka takuar Kryetarin Izmir Zeqiri, kabinetin e tij dhe qytetarët e kësaj komune.

“Sot pata nderin ta pres Kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi. Ai konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme ndaj nesh. E falënderoj shumë për përkrahjen ndaj nesh dhe qytetarëve të komunës tonë”, ka thënë Kryetari Izmir Zeqiri.

Ndërkaq, Kryetari Krasniqi ka thënë se është vërtetë domethënëse dhe për t’u vlerësuar nga të gjithë fakti që, në mënyrë të veçantë shqiptarët e kësaj komune, të koncenturar në fshatin Çabër, kanë vazhduar dhe po vazhdojnë që përkundër sfidave të qëndrojnë e jetojnë aty dhe të zhvillojnë jetën institucionale.

“Shfrytëzoj rastin që të ftoj dhe t’i kërkojë Qeverisë së Republikës së Kosovës, që vërtetë të ketë një qasje ndryshe dhe shumë më përkrahëse për këta zyrtarë shtetërorë të cilët po punojnë pa ndalur në Komunën e Zubin Potokut, por edhe në komunat tjera në pjesën veriore të vendit”, ka thënë Kryetari Krasniqi.

Lideri i PDK-së ka thënë se ajo që i bëri shumë përshtypje pozitive dhe që vlerëson, është fakti që kishte shumë qytetarë edhe të komunitetit serb të cilët janë aty në baza ditore për të kërkuar shërbime dhe po marrin shërbime, të cilat Kryetari Izmir Zeqiri dhe të gjithë zyrtarët i kanë ofruar për të gjithë, pa dallim.

Lideri i Opozitës, Memli Krasniqi, në fund të këtij takimi i bëri thirrje të drejtpërdrejt Kryeministrit dhe ministrave tjerë të linjës që të vizitojnë komunat dhe qytetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, të adresojnë kërkesat e tyre dhe t’i mbështesin për zhvillimin e një jete të dinjitetshme sociale dhe institucionale atje./21Media

Back to top button