Haradinaj nis ditën në veri të Mitrovicës

(Lajm i përditësuar)

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj nis ditën në veri të Mitrovicës, te varri i Isa Boletinit, për të vazhduar te zbulimi i shtatoreve të Hasan Prishtinës dhe Adem Jasharit

“Nderim përjetë heronjve, nderim përjetë për Isa Boletinin”, është shprehur Haradinaj.

Tutje, Haradinaj ka vazhduar me vizitë në Mushtisht të Suharekës, ku mori pjesë në ceremoninë e përurimit të shtatoreve të Heronjve të Kombit, Hasan Prishtina dhe Adem Jashari!

Pacolli duke zbritur nga avioni me flamur në dorë uron 28 Nëntorin

Kreu i AKR-së, Behxhet Pacolli ka uruar festën e 28 Nëntorit përmes një postimi në “Facebook”.

Ai ka publikuar një fotografi duke zbritur nga avioni me flamurin kuq e zi në duar.

“Një ditë e madhe për shqiptarët në mbarë botën. Në mund të jetojmë të ndarë, por flamuri ynë na bashkon kudo! Gëzuar 28 nëntori!”, ka shkruar ai.

Abdixhiku: Kombi shqiptar është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ua ka uruar të gjithë shqiptarëve festën e 28 Nëntorit.

Sipas tij, sot konstatohet se kombi shqiptar është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Sot shënojmë ditën e shqiptarëve – 110 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Kjo është dita historike e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Është Nëntori i Dytë, dita më e rëndësishme pas 28 Nëntorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut . Për këtë ditë u bashkuan të gjithë burrat e kombit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sot, në këtë përvjetor kujtojmë plakun e urtë, Ismail Qemali, i cili i rrethuar nga burrat e tjerë të kombit e shpalli Shqipërinë shtet të pavarur. E kujtojmë Presidentin historik, Ibrahim Rugova, që me idenë dhe bërjen e shtetit të Kosovës, e plotëson këtë ditë të madhe. E kujtojmë komandantin legjendar, Adem Jashari, sakrifica e të cilit është shembull për mbrojtjen e pragut të shtëpisë. I kujtojmë e nderojmë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Ai tutje tha se me të drejtë, sot konstatohet se kombi shqiptar është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon.

Çitaku: Në një ditë si kjo është mirë t’ia kujtojmë vetes çmimin e lartë të lirisë

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Vlora Çitaku, ka bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz për nder të shënimin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Çitaku ka thënë se është mirë që në këtë ditë t’ua kujtojmë vetes çmimin e lartë të lirisë dhe fëmijëve t’u tregohet se s’duhet ta marrin të mirëqenë atë.

“Ngado që të shkojmë si shqiptarë nga këtu nisemi, nga Prekazi legjendar nga themeli i shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës, jemi sot për të shënuar 28 Nëntorin, nëntorin e madh, festën e shumëfishtë të shqiptarëve. Në një ditë si kjo është mirë t’ia kujtojmë vetes çmimin e lartë të lirisë, t’u flasim fëmijëve tanë mos ta marrim të mirëqenë lirinë që e kemi”, ka thënë Çitaku para gazetarëve.

Ajo sugjeroi që “ta duam njëri-tjetrin dhe vendin më shumë”.

“Respekt për familjet e dëshmorëve”, ka shtuar ajo.

Krasniqi: Sot dy shtete e miliona zemra rrahin shqip

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka uruar festën shqiptare, 28 Nëntorin.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”, ka cituar tre heronjtë kombëtarë të tri vendeve shqiptare.

“”Lirinë nuk ua solla unë. Atë e gjeta në mesin tuaj” – Gjergj Kastrioti Skënderbeu. “Flamuri ynë, n’athdhenë t’onë të lirë. Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipëria!” – Ismail Qemaili “Besa-besë se vetëm një vdekje, tjetër s’ka në këtë jetë dhe një fjalë e mirë. N’grykë t’pushkës.” – Adem Jashari. Krujë – Vlorë – Prekaz. Tri vende shqiptare! Tre heronjë kombëtarë! Tre nëntorë të shenjtë!””, ka shkruar ai.

Krasniqi tutje tha se obligimi dhe detyra jonë është ta kultivojmë shpresën, të mbajmë zemrën në vendin e duhur, përkushtimin dhe orientimin e pandryshuar – për të ardhmen dhe gjeneratat e reja – në vendet tona!

“Gjashtë shekuj përpjekje, luftë, sakrificë, trimëri, guxim, atdhedashuri, bashkim e frymëzim për liri. Sot, dy shtete e miliona zemra që rrahin shqip në mbarë botën e lirë, të rritur mbi shpatullat e gjigantëve! Fitimtarë, sepse jemi në të drejtën tonë – fitimtarë do të dalim edhe në luftën e fundit për drejtësi“, ka shkruar Krasniqi.

Tutje Krasniqi e ka cituar edhe Hasan Prishtinën.

“Njeriu pa kombin është asgjë, e kombi pa brezat e ardhshëm shuhet”, ka thënë Hasan Prishtina.

Krasniqi tutje ka porositur: Le të jetë ky motivi, ndriçimi, vizioni dhe betimi ynë përpara. Urime 28 Nëntori!/21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button