Krasniqi: Sulm i përmasave të Banjskës është e pamundur të ndodhë
Zëvendëskryetari i komisionit për çështje të sigurisë në Kuvendin e Kosovës, Enver Dugolli, tha se bandat dhe grupet të cilat vepronin në veriun e vendit dhe kanë aktakuzë në Kosovë po riorganizohen dhe rigrupohen në një numër më të madh për të kryer ndonjë sulm tjetër të ngjashëm me atë të 24 shtatorit të 2023. Dugolli ripërsëriti shqetësimet e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës për mundësinë e përshkallëzimeve të reja në pjesën veriore të vendit. Në anën tjetër njohës të fushës së sigurisë vlerësojnë se aktualisht një gjë e tillë është e pamundur të ndodhë.
Zëvendëskryetari i komisionit për çështje të sigurisë në Kuvend, Enver Dugolli tha se në bazë të raporteve që kanë marr në komisionin për siguri nga agjencitë ligj-zbatuese, grupet kriminale të cilat vepronin më herët në veri janë duke u ri-formuar në territorin e Serbisë dhe në këtë rrafsh Kosova po përgatitet për ndonjë sulm të mundshëm.
“Ne jemi komision për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes neve na raportojnë ministri i mbrojtjes, i brendshëm dhe agjenci të tjera ligjzbatuese dhe nga ato raportime kemi informata se grupe të mbetura të cilat operojnë në Serbi të cilat kanë qenë të identifikuara dhe kanë aktakuzë në Kosovë po rikuperohen në Serbi. Informacionet e fundit janë se kanë tentu të zgjerohen në një numër edhe më të madh dhe ne po përgatitemi që të mos na zen gafil si thotë populli por ne jemi në të drejtën tonë dhe nuk frikësohemi dhe nuk jemi në panikë Kosova është më e fortë se kurrë”, tha Dugolli.
Në anën tjetër eksperti i anti-terrorizmit, Kolë Krasniqi, thotë se një ripërsëritje apo sulm i ngjashëm si Banjskë është e pamundur të ndodhë për shkak të parametrave të sigurisë aktuale në veri. Krasniqi vlerëson se mund të ketë sulme të izoluara por jo në përmasa sikur të 24 shtatorit të vitit 2023.
“Në bazë të parametrave të sigurisë aktuale në veri mund të konkludojmë se aktualisht është e pamundur të ndodhë një sulm i përmasave si në Banjskë pasi që asnjë grup nuk ka potencial kadrovik as nuk e ka mundësinë e organizimit dhe sjelljes së ndonjë arsenali aq të madh të armatimit por as gatishmërinë e personave që të kyçen dhe veprojnë në kryengritje të armatosur dhe të veprojnë aktivisht fillimin e ndonjë vale të re nuk mund të përjashtohet mundësia për ndonjë vrasje sporadike apo vendosja e eksplozivëve sepse situata politike nuk është e mirë por ajo e sigurisë është krejt ndryshe”, tha Krasniqi për rtv21.
Deklaratat se Serbia po planifikon të kryej sulme të tjera në Kosovë pas sulmit të 24 shtatorit janë të pamatura për ushtarakun në pension Hysen Gecaj. Sipas tij në kohën kur KFOR-i ka shtuar trupat e saj në veri është e pamundur të ndodhë një sulm i tillë. As Gecaj nuk e ka përjashtuar mundësinë për incidente në veri.
“Natyrisht se bandat kriminale do dëshironin ta përsërisnin një akt të tillë por janë të vetëdijshme që atje ka forca të shtuara të KFOR-it dhe NATO-s dhe është e pamundur të kryhet një akt i tillë dhe të celebrohet në këtë formë. Por mund të them se ky përvjetor dhe deklarata e qeveritarëve përhapin panikë dhe mendoj se do të ishte mirë që të jenë të sinqert me popullin”, tha Gecaj.
Qytetarët serbë në katër komunat e veriut dhe Beogradi zyrtar e kanë fajësuar qeverinë e Kosovës se, siç thonë, me ndërhyrje policore po shkel të drejtat e serbëve në veri. Eksperti i anti-terrorizmit Kolë Krasniqi, thotë se veprimet e qeverisë në veri të vendit do duhej të bëheshin me koordinim me bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë që të mos krijohej një narracion i tillë.
“Për faktin që ne kemi strukturë ndërkombëtare që garanton sigurinë dhe paprekshmërinë tonë që ka dhënë kontribut të madh në Kosovë të bëhen në koordinim me të sepse Serbet kanë dinakëri të fuqishme politike dhe kanë arritur të paraqiten si viktima të ashtuquajturës terrorit shtetëror të Kurtit mbi komunitetin serb në Kosovë”, tha ai.
Gjendja në pjesën veriore të Kosovës vlerësohet të jetë e brishtë ndërkohë që forca paqeruajtëse të NATO-s, shtoi numrin e trupave pas përshkallëizmeve vitin e kaluar. Një kontingjent prej 300 trupave shtesë nga Britania e Madhe ka arritur në Kosovë, dy ditë më parë, në një mision të përkohshëm në mbështetje të forcave paqeruqjatëse./RTV21/21Media