Krasniqi: Takimi i së hënës është për Asociacionin, nuk do të ketë marrëveshje finale

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi duke komentuar takimin e të hënës mes kryeministri të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq tha se ky takim është për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe jo për njohje.
“Sepse, qeveria, me paaftësinë e saj, e ka degraduar dialogun nga arritja e qëllimit të marrëveshjes finale me njohje në qendër, në marrëveshje kalimtare me Asociacionin në qendër.” shkroi Krasniqi në Facebook.
Kurti po ashtu deklaroi se nuk do të ketë as marrëveshje finale.
“Të hënën, në Bruksel, nuk do të ketë marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër. Përkundrazi, 27 Shkurti i këtij viti do të shënojë fillimin e një faze të re të procesit të dialogut, ku njohja e ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë nuk do të jetë më fare temë diskutimi. “, shkroi ai.
Sipas Krasniqit kjo fazë e re është rezultat i drejtpërdrejtë i dy viteve të keqmeaxhimit të dialogut nga Qeveria Kurti
“Pavarësisht nga takimi i së hënës, qeveria, tashmë publikisht, e ka pranuar planin e propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, nga ajo që është parë deri tash, plani në vetvete nuk përmban pothuajse asnjë përfitim konkret për Kosovën. Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa njohja e ndërsjellë është jashtë çdo diskutimi.Për më keq, nga deklaratat publike të zyrtarëve ndërkombëtarë, shihet qartë se fokusi nuk është në arritjen e objektivave të lartëcekura, por është në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.”, u shpreh Krasniqi në Facebook.
Të hënën me ftesë të BE-së kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel për të diskutuar lidhur me për vazhdimin dialogut me bazë propozimin evropian./21Media