Krasniqi takon eurodeputetët liberalë në Bruksel

Krasniqi takon eurodeputetët liberalë në Bruksel

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Bruksel, bashkë me eurodeputetin Ilhan Kyuchyuk, njëherit ko-president i ALDE-s, ka zhvilluar një mëngjes pune me disa nga eurodeputetët liberalë të vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Krasniqi, sot ka zhvilluar takime të ndara edhe me Felix Mittermayer nga partia austrike NEOS dhe eurodeputetin Malik Azmani nga partia holandeze VVD.

“Rrjetëzimi i PDK-së me liberalët e Bashkimit Evropian, procesi i reformave partiake, si dhe sigurimi i mbështetjes së tyre drejt synimit tonë për t’u bërë pjesë e familjes liberale ishin disa nga temat për të cilat u dakorduam të përqendrojmë komunikimin e mëtutjeshëm. Me partnerë dhe miq të tillë, fuqizimi i PDK-së në skenën politike evropiane është i sigurt dhe do të ndihmoj aspiratën e Kosovës për integrim”, u shpreh ai.

Po ashtu, kryetari Krasniqi ka takuar edhe eurodeputeten nga Suedia, Abir Al-Sahlani, e cila në mbështetje të protestave anti-qeveritare në Iran pati prerë flokët e saj gjatë seancës së Parlamentit Evropian duke nxitur një valë të fuqishme reagimesh mbështetëse dhe duke tërhequr vëmendjen e të gjithë botës.

Ndër tjerash, kryetari Krasniqi e ka njoftuar eurodeputeten Al-Sahlani me vizionin e PDK-së për përfaqësim të barabartë gjinor, 50/50, në të gjitha strukturat e partisë.

“Në një takim frymëzues që kisha sot me të në Bruksel, diskutuam për nevojën e fuqizimit të grave në politikë dhe në vendimmarrje, me ç’rast e njoftova me vizionin e PDK-së për përfaqësim të barabartë gjinor, 50/50, në të gjitha strukturat e partisë. Duke e përgëzuar për punën e saj të palodhshme dhe konsistente në mbrojtje të kauzave të rëndësishme, eurodeputeten Al-Sahlani e falënderova edhe për mbështetjen e saj për aspiratën e PDK-së për anëtarësim në ALDE. Po ashtu, e inkurajova që të vazhdojë aktivizmin e saj politik në mbështetje të grave iraniane dhe për fuqizimin e barazisë gjinore kudo në botë”, është shprehur Krasniqi.

Përveç në Bruksel, Krasniqi në kuadër të vizitës së tij zyrtare gjatë javës do të qëndroj edhe në Washington./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button