Krasniqi viziton familjen e Thaçit dhe Veselit: Fitorja e betejës së fundit do të jetë vulë e historisë së lavdishme

 
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi ka qëndruar sot në Burojë të Skenderajt dhe në Bair të Mitrovicës, ku ka vizituar familjen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët tashmë një vit po mbahen në Hagë.
Krasniqi ka thënë se këto shtëpi ku buron atdhedashuria, ku janë formësuar përpjekjet për liri e pavarësi, gjithmonë gjejnë derën hapur e frymëzimin për të mos u dorëzuar përballë sfidave për ta çuar Kosovën përpara.
Krasniqi tutje ka thënë se malli i familjarëve të Thaçit dhe Veselit është i madh,  por më e madhe është krenaria që ata kanë për ta.
“Malli e dëshira për kthimin e bijve të tyre është e madhe, por më e madhe është mburrja e krenaria që kanë për ta. Sepse këto familje kanë rritur djem çlirimtarë, që mision jetësor e kanë pasur dhe e kanë Kosovën e lirë dhe të zhvilluar. E vërteta për luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e patjetërsueshme e nuk mund të deformohet kurrë. Fitorja e betejës së fundit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe bashkëluftëtarëve të tyre për ta dëshmuar pastërtinë e kësaj lufte do të jetë vulë e historisë së lavdishme të vendit tonë”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi në Facebook./21Media

Back to top button