Krasniqi viziton familjet e ish-krerëve të UÇK-së të cilët ndodhen në Hagë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, me fotografi nga vizitat që u ka bërë familjarëve të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët aktualisht ndodhen në Hagë.
“15 vjet shtet! Nder e krenari që shënimin e datës historike të 17 Shkurtit, ta filloj me vizita te familjet e heronjve të luftës dhe të paqes, të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duke qenë pjesë e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, finalizuan përpjekjet shekullore të popullit të Kosovës për liri, si dhe pas çlirimit vazhduan punën për të jetësuar ëndrrën tonë për shtet të pavarur e sovran, demokratik e të zhvilluar”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij misioni i tyre për t’i dalë zot Kosovës mbetet i përhershëm. “Kontributi i Hashimit, Kadriut, Jakupit dhe Rexhepit nuk u kufizua në një etapë të vetme historike. Misioni i tyre për t’i dalë zot Kosovës ishte dhe mbetet i përhershëm. Ndonëse sot çlirimtarët janë larg familjeve të tyre dhe larg nesh në misionin e tyre për të dëshmuar pastërtinë e luftës së UÇK-së, me mendje dhe me zemër ata i kemi përherë pranë”.
Ai ka thënë se është i lumtur që një pjesë të rrugëtimit të tij politik, e ka zhvilluar përkrah këtyre personaliteteve. “Mirënjohje e respekt maksimal për punën e palodhur dhe angazhimin e pandalur të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të gjithë luftëtarëve të UÇK-së për Kosovën. Gëzuar Dita e Pavarësisë!”, ka shkruar Krasniqi.

Back to top button