Kremlini pranon se ka gabime në përpjekje për të mobilizuar rezervistët e ushtrisë ruse

Kremlini ka pranuar se janë bërë gabime në përpjekje për të mobilizuar rezervistët e ushtrisë ruse për të luftuar në Ukrainë.
“Ka raste kur shkelet dekreti”, tha zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, duke shtuar se “të gjitha gabimet do të korrigjohen”.
Raporte të shumta thonë se njerëz pa përvojë ushtarake ose që janë shumë të moshuar ose me aftësi të kufizuara – po thirren.
Dekreti i mobilizimit i javës së kaluar ka shkaktuar tashmë protesta të gjera.
Presidenti Putin njoftoi atë që ai e përshkroi si mobilizim të pjesshëm më 21 shtator, me ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu që më vonë tha se 300,000 rezervistë do të thirreshin.
Megjithatë, raportet në mediat opozitare ruse sugjeruan se deri në një milion njerëz mund të thirreshin, duke vënë në dukje se një paragraf që besohet të jetë në lidhje me numrin e saktë të rezervistëve të kërkuar ishte hequr (klasifikuar) në versionin e publikuar të dekretit të Putin mbi faqen zyrtare të Kremlinit.
Një numër ekspertësh ushtarakë në Perëndim dhe Ukrainë thonë se vendimi i Putinit për të thirrur rezervistët tregon se trupat ruse po dështojnë keq në fushën e betejës në Ukrainë – më shumë se shtatë muaj pasi Moska filloi pushtimin e saj.
Që nga shpallja e mobilizimit, më shumë se 2,000 njerëz janë arrestuar në protestat në të gjithë Rusinë.
Në një konferencë të hënën, zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, pranoi se po bëheshin gabime.
Ai tha se në disa rajone “guvernatorët po punojnë aktivisht për të korrigjuar situatën”.
Peskov tha gjithashtu se ai nuk ishte në dijeni të ndonjë vendimi për të mbyllur kufijtë e Rusisë dhe për të vendosur ligjin ushtarak në vend.
Raportet e medias sugjeruan më herët se kjo mund të bëhej për të ndaluar rekrutët e mundshëm që të arratiseshin jashtë vendit./21Media

Back to top button