Krerët institucional kërkojnë nga aleatët t’i bëjnë presion Serbisë për fatin e personave të zhdukur me dhunë

(Lajm i përditësuar)
Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukur me Dhunë nderohet Bajram Qerkinaj
Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukur me Dhunë, është kujtuar Bajram Qerkinaj, për të cilën u tha se vdiq pa ditur për fatin e djalit të tij, i zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Ambasada Britanike kanë organizuar konferencën “Ndërtimi i Urave: Avancimi i Pajtimit, Dialogut dhe Zërit Qytetas – Çfarë kemi mësuar”.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves tha se mbetën të përkushtuar për të ndihmuar Kosovën.
Ai ka kujtuar Bajram Qerkinaj, për të cilin tha se vdiq pa arritur të sigurojë informacione për djalin e tij.
“Mbi 1500 persona janë të zhdukur dhe familjet ende po presin. Kudo qe shkojë në Kosovë më bën përshtypje se sa delikate mbetet besimi, frika ende i pengon njerëzit për të dëshmuar. Familjarët meritojnë të dinë. Si Britani e Madhe mbetemi të përkushtuar për t’i ndihmuar Kosovës, sepse kjo nuk ka të bëjë vetëm me të shkuarën por edhe më të ardhmen”, tha ai.
Edhe Marta Gazideda e cila është menaxhere e programit për qeverisje dhe paqe në UNDP ka kujtuar Qerkinajn, duke thënë se duhet të vazhdohet kërkesa për drejtësi.
“E kemi humbur bacën Bajram fizikisht, por trashëgimia e tij vazhdon të jetojë. Mënyra më e mirë për ta nderuar është qe të kujtojmë ata dhe t’i përfaqësojmë rezultatet e tyre dhe ta mbajmë gjatë kërkesën për drejtësi”, shtoi ajo. /kp
Krerët institucional kërkojnë nga aleatët t’i bëjnë presion Serbisë për fatin e personave të zhdukur me dhunë
Krerë të institucioneve në Kosovë, ambasadorë të akredituar në Prishtinë dhe familjarë të personave të zhdukur kanë bërë homazhe të premten, te Monumenti i Personave të Zhdukur, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë.
Presidentja, Vjosa Osmani, tha se përpjekjet e Kosovës për drejtësi dhe për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë nuk do të ndalen asnjëherë.
Ajo nënvizoi se Serbia, duke i mbajtur në varreza masive trupat e të zhdukurve me dhunë në Kosovë, po bën krim të ripërsëritur.
Andaj ajo i bëri thirrje aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës që të bëjnë presion Serbisë për të zbardhur fatin e personave të zhdukur me dhunë.
“Është krim i vazhdueshëm, sepse përtej krimeve që janë kryer në vitin 1998–1999 nga ana e Serbisë, zhdukja me dhunë e personave të shumë familjeve në Kosovë është krim që Serbia e kryen çdo ditë duke i mbajtur ata në varreza masive. Duke mos respektuar marrëveshjet e arritura në Bruksel për ta zbardhur fatin e të zhdukurve me dhunë, Serbia çdo ditë kryen krim kundër njerëzimit dhe çdo ditë shkel konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut… I bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë, të gjithë miqve tanë ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion të vazhdueshëm Serbisë. Këtij shteti gjenocidal, këtij shteti që akoma jo vetëm që e mohon krimin, por edhe e fsheh krimin duke i mbajtur të zhdukur me dhunë mijëra shqiptarë nga Kosova”, tha Osmani.
Trysni nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Serbisë për zbardhje të fatit të personave të zhdukur me dhunë në Kosovë kërkoi edhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.
“Ky është një obligim moral, por edhe obligim ndërkombëtar që Serbia sa më parë të tregojë vendndodhjen e të gjitha masakrave dhe ku gjenden të pagjeturit, që familjet në vendin tonë mezi presin të kuptojnë fatin e tyre. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që në emër të Kuvendit t’i bëjmë thirrje Serbisë që ta marrë seriozisht këtë çështje, meqenëse Serbia, përveç që ka vrarë mbi dhjetë mijë popullatë civile, ajo vazhdon me vra popullin tonë duke mbajtur të pagjeturit atje. Bëj thirrje edhe te bashkësia ndërkombëtare që të shtojë presionin te një regjim autoritar që të tregojë për fatin e të pagjeturve”, tha ai.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se institucionet e Kosovës po bëjnë maksimumin për gjetjen e personave të zhdukur me dhunë, ku bëri të ditur se këtë vit janë zhvilluar 18 aktivitete për gërmimin dhe gjurmimin e mbetjeve mortore të të zhdukurve.
Mirëpo ai tha se Serbia s’po respekton marrëveshjen në Bruksel për të zhdukurit me dhunë, duke përmendur mosfillimin e gërmimeve në dy lokacione në Serbi.
“Institucionet e shtetit tonë po bëjnë maksimumin. Kësisoj, vitin e kaluar kemi gërmuar dhe gjurmuar në 23 lokacione të ndryshme, kurse këtë vit kemi pasur 18 aktivitete për hulumtim dhe kërkim të mbetjeve mortore të më të dashurve tanë, të cilët i vrau Serbia. Në anën tjetër, gërmimet në Kozhë të Serbisë nuk kanë filluar ende, ndërkaq në Batajnicë afër Beogradit nuk kanë rifilluar ende, pavarësisht se u bënë dy vjet që ne e kemi marrëveshjen e Brukselit dhe deklaratën përkatëse për këtë çështje. Mohimi i drejtësisë ndaj viktimave tona të luftës së fundit, paraprihet nga mohimi i krimeve të kryera nga Serbia, që e bën Beogradi zyrtar… Kërkojmë nga ta (aleatët ndërkombëtarë) që të bëjnë më shumë trysni mbi pushtetin në Beograd, sepse në arkivat e tyre dhe te zyrtarët e tyre ndodhet e vërteta se pse s’po zbardhet dhe përgjegjësia për atë çka na kanë ndodhur neve”, tha Kurti.
Pjesë e homazheve ishte edhe Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur me Dhunë, i cili tha se sfidë dhe shqetësuese është gërmimi në lokacionet në territorin e Serbisë, pasi kjo e fundit këtë çështje humanitare e ka politizuar.
“Sfidë dhe shqetësuese mbesin lokacionet në territorin e Serbisë si dhe qasja politizuese e Serbisë për këtë problematikë. Siç e kemi theksuar më parë, turpi i kësaj është politizimi i kësaj çështjeje nga ana e institucioneve të Serbisë… e vërteta, drejtësia dhe kujtesa janë lidhshmërisht apo të pandashme në raport me çështjen e personave të zhdukur. Pa të vërtetën s’ka drejtësi dhe pa drejtësi përkujtimi po mbetet brenda një dhimbje dhe jo në dinjitetin njerëzor”, tha ai.
Thirrje Serbisë për zbardhjen e personave të zhdukur me dhunë i bëri edhe Kryetari i Këshillit Koordinues për të Zhdukurit dhe Krimet e Luftës, Ahmet Grajqevci.
Aktualisht, trupat e 1584 qytetarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë mungojnë, të cilët janë zhdukur me dhunë nga Serbia.
Autoritetet shtetërore në Kosovë kanë kërkuar që Serbia të hapë arkivat shtetërore, që sipas tyre, do të ndihmonin në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. /kp
Prattipati bën homazhe për të zhdukurit me dhunë gjatë luftës, riafirmon angazhimin amerikan për drejtësi
E Ngarkuara me Punë e ambasadës amerikane, Anu Prattipati, ka bërë homazhe e Monumenti i Personave të Zhdukur, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë.
Në homazhe ishin edhe presidentja, kryeparlamentari dhe kryeministri në detyrë, si dhe ambasadorë të vendeve të tjera në vend.
Ambasada tha se solidarizohen me familjet e të zhdukurve, ndërsa riafirmuan angazhimin për drejtësi.
“E Ngarkuara me Punë i SHBA-së, Anu Prattipati, iu bashkua kosovarëve në përkujtimin e viktimave të zhdukjeve me forcë gjatë konfliktit në Kosovë. Ne solidarizohemi me familjet e tyre dhe riafirmojmë angazhimin tonë për të vërtetën dhe drejtësinë. Çdo familje meriton përgjigje për fatin e të dashurve të tyre”, shkroi ambasada.
Osmani kërkon nga Serbia që të zbardh fatin e personave të zhdukur me dhunë në Kosovë
Krerët e institucioneve në Kosovë, ambasadorë të akredituar në Prishtinë dhe familjarë të personave të zhdukur kanë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i bëri thirrje Serbisë që të zbardh fatin e personave të zhdukur me dhunë më Kosovë.
Ajo tha se Serbia po shkel të gjitha konventat për të drejtat e njeriut.
Thirrje Serbisë dhe trysni nga bashkësia ndërkombëtare për zbardhje të fatit të personave të zhdukur me dhunë në Kosovë kërkuan edhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha si dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. /kp
Rikujtohen personat e zhdukur, Haxhiu: Kjo është plagë e hapur për Kosovën dhe një nga sfidat më të mëdha të pasluftës
Në nder të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, organizata BIRN ka lanësuar dëshmitë e familjarëve të të zhdukurve, raporton KosovaPress.
Qëllimi i këtij projekti u tha se është t’i inkurajojnë familjarët e të zhdukurve për të rrëfyer përjetimet e tyre.
Në lanësimin e intervistave, morën pjesë edhe zëvendësshefi i Sektorit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi dhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Me këtë rast, Bianciardi tha se duke dokumentuar krimet e luftës, duke amplifikuar dhimbjen e familjeve të të zhdukurve dhe duke mbajtur institucionet përgjegjëse për të bërë pjesën e tyre, media bëhet një gur themeli i drejtësisë tranzicionale dhe pajtimit.
Ai potencoi se çështja e adresimit të mizorive të së kaluarës nuk është vetëm një detyrë morale, por edhe një element thelbësor për të ardhmen e integrimit të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane.
“Duke dokumentuar krimet e luftës, duke amplifikuar dhimbjen e familjeve të të zhdukurve dhe duke mbajtur institucionet përgjegjëse për të bërë pjesën e tyre, media bëhet një gur themeli i drejtësisë tranzicionale dhe pajtimit…Zbatimi i drejtësisë nuk është opsional. Këto janë detyrime. Vetëm përmes vendosjes së drejtësisë në zemër të jetës shoqërore, Kosova dhe autoritetet mund të ndërtojnë një të ardhme, ku jo vetëm që sundon drejtësia, por edhe zhvillimi. Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian është i përfshirë. Çështja e adresimit të mizorive të së kaluarës nuk është vetëm një detyrë morale, por edhe një element thelbësor për të ardhmen e integrimit të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane”, tha Bianciardi.
Ndërkaq, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se sfidat për zbardhjen e fatit të të zhdukurve mbeten serioze, veçanërisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit me Serbinë për të dhënë informacione për te zhdukurit.
Ajo tha se kanë kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë që të bëjnë presion ndaj Serbisë për të zbardhur fatin e te zhdukurve.
Haxhiu potencoi se në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, nderohen edhe familjarët e të zhdukurve për qëndresën dhe forcën e tyre.
“Çështja e personave të zhdukur është plagë e hapur për Kosovën dhe një nga sfidat më të mëdha të pas luftës. Ajo mbetet pengesë për drejtësinë, paqen e qëndrueshme dhe për pajtimin… Përveç themelimit të institutit për krime të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, ne kemi rritur po ashtu kapacitet për hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës si në Policinë e Kosovës e po ashtu edhe në Prokurorinë Speciale. Kemi adresuar ndryshimet ligjore që lidhen me gjykimin në mungesë dhe kemi miratuar strategjinë për drejtësinë tranzicionale…Tashmë ka edhe aktakuza më shumë raste të krimeve të luftës ndonëse krimet e Serbisë në Kosovë kanë qenë shumë… Ne pajtohemi që sfidat mbesin serioze veçanërisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga ana e Serbisë e cila vazhdon të fsheh informacione për fatin e personave të zhdukur, nuk i hap arkivat. Për këtë arsye kemi kërkuar nga partnerët tanë të ushtrojnë edhe më shumë presion mbi Serbinë, për të zbuluar të dhënat që ka në dispozicion dhe për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës në zbardhjen e personave të zhdukur”, tha Haxhiu.
Drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra tha se përmes intervistave të familjarëve re zhdukur, synohet që të rijetësohen ata që sot janë të zhdukur.
Xharra tha se ky projekt është stimulues i idesë që nuk asnjëherë vonë për të rrëfyer se si janë rrëmbyer dhe zhdukur njerëzit me dhunë.
“Një projekt të ri që po e fillojmë për regjistrimin e intervistave të gjata që po i bëjmë me familjarë të të zhdukurve. Pse tash, pse pas 25 viteve, do të befasoheni që pas 25 viteve mund të ju them se mbi 1000 informacione ju kanë shkuar vetëm vitin e fundit Prokurorisë Speciale. Njerëzit kanë filluar me dhënë më shumë informacione dhe projekti jonë është stimulues i idesë që nuk është vonë me folë, nuk është vonë për t’i rikujtuar, shënuar dhe regjistruar rrëfimet se si janë rrëmbyer edhe zhdukur njerëz me dhunë”, tha Xharra.
Shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur
Të shtunën, me 30 gusht, është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kanë kaluar mbi 26 vjet nga lufta e fundit në Kosovë, ndërsa familjarët e afër 1600 personave të zhdukur ende janë duke pritur përgjigje për fatin e tyre dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.
Me 11 identifikimet që janë kryer së fundmi në muajin mars, aktualisht sipas Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, në Kosovë janë edhe 1,577 persona të cilët konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Kjo ditë të premten dhe të shtunën do të shënohet me disa aktivitete.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, sot do të bëjë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë, në Prishtinë, në ora 10:45.
Në dhjetor të vitit 2024, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për zbatim të plotë të Deklaratës për Personat e Pagjetur.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?