Kritikohet Rusia për përcaktimin e SHBA-së dhe Çekisë si vende jomiqësore

 

Këshilli Evropian ka kritikuar vendimin e Rusisë, përmes të cilit Shtetet e Bashkuara dhe Republika Çeke janë kualifikuar si vende “jomiqësore”.

Përmes këtij vendimi Moska do të kufizojë punësimin e stafit lokal për operacionet e ambasadave të këtyre dy vendeve në Rusi.

Më 14 maj Qeveria ruse publikoi listën e saj zyrtare të vendeve “jomiqësore”. Ajo u zotua se të njëjtën masë do ta zbatojë edhe për vendet e tjera nëse ato përfshihen në “veprime jo miqësore”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e quajti veprimin e qeverisë ruse “një hap tjetër drejt përshkallëzimit” që “minon marrëdhëniet diplomatike”.

Më 14 maj, ministria e Jashtme e Çekisë tha përmes një deklarate se veprimi rus “është edhe një hap tjetër drejt përshkallëzimit të marrëdhënieve jo vetëm me Çekinë, por edhe me BE-në dhe aleatët e saj”.

“Vendimi është plotësisht në kundërshtim me Konventën e Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike”, tha deklarata, duke shtuar se ajo do të ndikonte në fushën e turizmit dhe biznesit midis dy vendeve.

Marrëdhëniet midis Pragës dhe Moskës janë acaruar pasi autoritetet çeke më 17 prill thanë se Rusia ishte e përfshirë në një shpërthim vdekjeprurës të depove të armëve në territorin çek më 2014.

Të dyja vendet janë përfshirë në retorikë të ashpër dhe kanë dëbuar diplomatët e njëra-tjetrës.

“Kjo dëshmon se reagimi ndaj incidentit në Vërbetice ishte i saktë, pasi Moska vendosi të na përfshinte në listën e kombeve jomiqësore, së bashku me Shtetet e Bashkuara” ,tha ministri i Brendshëm çek, Jan Hamacek.

Ambasada e SHBA-së në Pragë shkroi në Twitter se “jemi krenarë që qëndrojmë përkrah aleatit tonë të palëkundur, Republikës Çeke”./REL

Back to top button