Krivokapiq i kundërpërgjigjet Kurtit për Demarkacionit me Malin e Zi

 
Pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se me qeverinë e re të Malit të Zi do të diskutojnë edhe njëherë për demarkacionin, ka reaguar kryeministri i shkarkuar malazez Zdravko Krivokapiq.
Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se e konsideron provokim të papranueshëm deklaratën e Kurtit.
“E cila shpall aspirata të rrezikshme për të cenuar integritetin territorial të Malit të Zi. Është interesant fakti se nuk ka asnjë reagim nga presidenti i Malit të Zi dhe i mandatuari antikushtetues Dritan Abazoviq.”,ka thënë Krivokapiq.


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka thënë se me qeverinë e re malazeze do të mund të bisedojnë edhe njëherë për demarkacionin.
“Shpresojmë që së shpejti Mali Zi do të ketë Qeveri të re, me të cilën do të mund të bisedojmë, ta trajtojmë edhe këtë çështje për dallim nga Qeveria paraprake, e cila kishte përbrenda elemente pro ruse përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë. Ne kemi bërë mbledhje të përbashkët të Qeverisë edhe me Maqedoninë e Veriut, me Shqipërinë, dhe shpresojmë të bëjmë edhe me Malin e Zi, pasi që të formohet atje Qeveria e re. Pra shpresojmë që do të ketë kushte të reja me Qeverinë e re, për ta trajtuar edhe këtë çështje, për të cilën natyrisht që fajin e përgjegjësinë e ka ajo Qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht, shumë të dëmshëm ia dha Malit të Zi, 8200 hektar të territorit të Kosovës”, ka thënë Kurti./21Media

Back to top button