Kriza ekonomike në Kosovë nën hijen e zhvillimeve politike

Përkufizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndikon në çështjet ekonomike të Kosovës, kanë thënë ekspertët e fushës ekonomike.
Sipas tyre gjithnjë përderisa të mos zgjidhen çështjet politike, kriza ekonomike do të mbetet nën hijen e këtyre zhvillimeve. Ata thonë se ikja e qytetarëve nga vendi është në nivel alarmant.
Derisa Qeveria e Kosovës, po flet për punësimin e mijëra personave, sipas statistikave, dhjetëra-mijëra qytetarë kanë vazhduar të ikin nga vendi.
Ikja po vazhdon të jetë alarmante thotë edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini, dhe sipas tij Kosova është në varfëri të skajshme.
“Kriza është shumë e lartë dhe kreditë që po i marrin qytetarët po i marrin për të jetu e jo për të investu… sepse qeveria nuk i ndajti mjetet nga trusti dhe zgjedhi formën e keqe dhe kështu pësuam edhe rënie të aksioneve që bëri që gjithçka të ngadalësohet. Në këtë formë edhe po lëshohet Kosova, kjo është varfëri e skajshme..”, ka thënë Shahini.
Ikja e qytetarëve është ngritur si çështje edhe në Kuvendin e Kosovës nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e cila kërkoi ditë më parë nga institucionet e vendit që ta trajtojnë këtë dukuri.
“Edhe pse ditëve të fundit tema kryesore është situata e krijuar në veri, sot do të flas për një çështje tjetër, po aq shqetësuese që është largimi masovik i shqiptarëve nga Kosova, veçanërisht o të rinjve. Edhe pse situata politike është destabilizuar, është se pikërisht temat e mëdha në këtë vend e kanë vën nën hije qytetarin përditshmërinë dhe vështirësitë e tij. Krahas kësaj po harrohet se mirëqenia e qytetarit është tema më e madhe që duhet të trajtohet”, ka thënë Musliu.
Në raportin e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin tetor 2022 në krahasim me muajin tetor 2021 ishte 12.7%, kjo për shkak të ngritjes së çmimeve të konsumit.
Njohës të çështjeve ekonomike vlerësojnë se derisa çështjet aktuale politike të mos zgjidhen, kriza ekonomike do të jetë nën hijen e zhvillimeve politike.
Sipas rezultateve të Agjencisë së Statistika të Kosovës, shkalla e papunësisë është 17.7%. Papunësia më e theksuar është te grupmoshat 15-24 vjeçare. Por, jozyrtarisht thuhet se shkalla e papaunësisë është shumë më e lartë nga ajo që është deklaruar. Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia, ndërtimtaria, arsimi dhe prodhimi./21Media

Back to top button