Kriza në Ukrainë: Putin thotë se nuk dëshiron luftë në Evropë

Presidenti rus, Vladimir Putin tha se “natyrisht” Rusia nuk dëshiron luftë në Evropë, por se shqetësimet e tij të sigurisë duhet të trajtohen dhe të merren seriozisht.

Komentet e presidentit rus erdhën pasi ushtria tha se disa trupa po tërhiqeshin nga kufiri afër Ukrainës – shenja e parë nga Moska për një ulje të mundshme të tensioneve.

Megjithatë, udhëheqësit perëndimorë thonë se ende nuk ka prova për tërheqjen.

Putin e ka mohuar gjithmonë se po planifikon një inkursion, por tensionet janë rritur që nga nëntori, kur trupat ruse kanë filluar të grumbullohen pranë kufirit me Ukrainën.

Rusia ka lidhje të thella kulturore dhe historike me Ukrainën, e cila është një ish-republikë sovjetike.

Presidenti rus kërkon garanci se nuk do t’i bashkohet aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s, sepse ai e sheh çdo zgjerim të saj si një kërcënim për Rusinë. NATO e ka refuzuar këtë kërkesë.

Putin po fliste në Moskë pas një takimi katërorësh me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, i cili është lideri i fundit perëndimor që viziton rajonin në përpjekje për të ulur tensionet, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv

Kur u pyet për perspektivën e luftës, Putin u tha gazetarëve: “A e duam këtë apo jo? Sigurisht, jo. Kjo është pikërisht arsyeja pse ne kemi paraqitur propozime për një proces negociatash.”

Por, të dy burrat u përplasën kur Putin tha se kishte një precedent për luftë në Evropë – konflikti në ish-Jugosllavi në vitet 1990 – të cilin ai tha se ishte zhvilluar nga NATO kundër Serbisë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Scholz tha se situata ishte ndryshe, sepse ekzistonte rreziku i gjenocidit nga serbët kundër jo-serbëve, për të cilin Putin tha se ajo që po ndodhte në rajonin Donbas të Ukrainës lindore – ku Rusia po mbështet separatistët ishte gjithashtu një gjenocid, kundër rusëve etnikë.

Putin tha gjithashtu se NATO-ja nuk kishte arritur deri më tani të adresonte shqetësimet “themelore” të Rusisë për sigurinë. Ai po kërkon që çështja e anëtarësimit të Ukrainës në NATO të trajtohet tani.

Ndërsa, Scholz tha se grumbullimi i trupave ishte “i pakuptueshëm”, por kishte ende një shans që zgjidhjet diplomatike të mund të lehtësonin tensionet.

“Unë u shpreha se grumbullimi i trupave shihet si një kërcënim”, tha Scholz në konferencën për media. “Sigurisht që ne jemi shumë të shqetësuar, ka më shumë se 100,000 trupa ruse në kufirin me Ukrainën, dhe kjo na duket e pakuptueshme.”

Udhëheqësit po flisnin disa orë pasi ushtria ruse njoftoi se disa nga trupat e saj ishin tërhequr nga kufiri me Ukrainën.

NATO tha se njoftimi rus dha shkak për “optimizëm të kujdesshëm”, por deri më tani nuk ka pasur asnjë provë për de-përshkallëzimin në terren.

Kryeministri britanik, Boris Johnson shkroi në Twitter se kishte “sinjale të përziera” që vinin nga Rusia, sepse inteligjenca e Mbretërisë së Bashkuar tregon se spitalet ruse në terren po ndërtohen pranë kufirit, të cilat “mund të interpretohen vetëm si një përgatitje për një pushtim”./21Media

Back to top button