Kroacia do t’i kushtojë vëmendje të veçantë Kosovës

Apostolova: Viti 2020 paraqet kohën për ndryshime efektive

Kroacia me rastin e marrjes së Presidencës të Këshillit të Bashkimit Evropian do t’i kushtojë vëmendje të veçantë Kosovës dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve për bashkëpunim rajonal dhe fqinjësi të mirë.

Kështu u tha sot me rastin e prezantimeve të prioriteteve të Presidencës së Kroacisë në gjashtë muajt e ardhshëm në krye të Këshillit të Bashkimit Evropian, ku ndër të tjera u kërkua që të formohet sa më shpejt qeveria në mënyrë që të punohet në reformat e nevojshme.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se viti 2020 paraqet kohën për ndryshime efektive për rinovimin të projektit të përbashkët evropian.

Ajo shtoi se Samiti i Zagrebit në maj do të kërkojë që fqinjësia e mirë do të dërgojë në rrugën përpara për zgjerim dhe vendimin për fillimin e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa, ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Daniela Barishiq, tha se programi i Presidencës kroate do të jetë i ndarë në katër fusha: Një Evropë në zhvillim, një Evropë që lidhë, një Evropë që mbron dhe një Evropë me ndikim.

Përveç këtyre, ajo tha se do të kenë edhe detyra kryesore politike që janë korniza financiare shumëvjeçare e zgjerimit, konferenca për ardhmërinë e Evropës dhe marrëdhëniet e reja me Mbretërinë e Bashkuar.

Back to top button