“KRU Prishtina” ultimatum bizneseve: Paguani ujin ose do të shkqyçeni nga rrjeti
Duke filluar nga data 25 korrik konsumatorët e kategorisë së bizneseve të cilët kanë fatura të ujit të papaguara do të shkyçen nga rrjeti i ujësjellësit “KRU Prishtina” .
“Borxhi total i sektorit të bizneseve të vogla e të mëdha është mbi 7 milion euro ( mbi 5 milion euro bizneset e vogla dhe mbi 2 milion euro bizneset e mëdha).Ua kujtojmë se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “ Prishtina ” sh.a., qëllimin kryesor e ka ofrimin e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit. Për të përmbushur këtë mision me sukses dhe për të ofruar furnizim stabil me ujë , sigurisht që kërkohet angazhim maksimal dhe ka kosto të lartë në trajtimin e ujit dhe mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, në vazhdimësi.”, thuhet në njoftimin e “KRU Prishtina”
“KRU Prishtina” u bënë thirrje këtyre bizneseve që të përmbushin obligimin ligjor ndaj pagesës së faturave të rregullta mujore për shpenzimin e ujit.
“Keni kohë 6 ditë të paguani të gjitha faturat e papaguara për shërbime të ujit dhe kanalizimit. Masa e shkyçjes dhe më vonë ri-kyçjes do të shoqërohet edhe me shpenzime shtesë të cilat rrjedhin nga tarifat e parapara nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit dhe Urdhëresës Tarifore të Shërbimeve ARRU/UTSH-14/04/2022. Në rast të ndonjë ndërhyrje të paautorizuar në rrjetin e ujësjellësit / pas aplikimit të shkyçjes, KRU “Prishtina ” sh.a. do të inicion kallëzime penale për secilin konsumatorë të kategorisë së bizneseve në rast se, ndërmarrin veprime të tilla të paligjshme. Po ashtu, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës – Kodi Nr.06 / L-074, Neni. 314 konsiderohen vepra penale çfarëdo manipulimi apo vjedhje që përfshihet edhe shërbimi me ujë të pijshëm.”, thuhet në njoftim./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?